Nipi i Rexhep Selimit në protestë: Ne nuk trashëguam vetëm një shtet, trashëguam një amanet

Protesta “Jo në emrin tim” ka vazhduar edhe sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shtatën natë me radhë, kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesin e folësve të mbrëmjes ishte edhe nxënësi i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Gentian Selimi, nipi i ish-kreut të UÇK-së,…

Lajme

22/09/2026 22:25

Protesta “Jo në emrin tim” ka vazhduar edhe sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shtatën natë me radhë, kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mesin e folësve të mbrëmjes ishte edhe nxënësi i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Gentian Selimi, nipi i ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ai tha se, ndonëse nuk e ka përjetuar luftën, brezi i tij ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën për sakrificën që solli lirinë e Kosovës.

“Quhem Gentian Selimi. Sot, para jush qëndroj si nxënës i gjimnazit ‘Ahmet Gashi’, si një i ri që luftën nuk e ka përjetuar. Nuk kam qenë aty kur vendi ynë digjej. Nuk kam qenë aty kur familjet largoheshin nga shtëpitë e tyre me dhunë. Nuk kam qenë aty kur djem e vajza të reja vendosën që jetën e tyre t’ia falin shërbimit të lirisë. Por sot, jam këtu pikërisht për shkak të këtij flijimi”, tha Selimi

Ai ka deklaruar se liria në të cilën është rritur është rezultat i sakrificës së një brezi para tij.

“Unë jam rritur në liri. Kam mundësi të ëndërroj, të arsimohem, të planifikoj të ardhmen dhe ta quaj Kosovën vendin tim, vetëm sepse një brez para nesh, pa diskutuar, e sakrifikoi gjithçka për liri. Prandaj ne, brezi që nuk e përjetuam luftën, nuk guxojmë të bëhemi brezi që e harron atë”, u shpreh ai.

Selimi tha se pjesëmarrësit e protestës janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Sot kemi ardhur për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin! Jemi këtu sepse kemi zërin tonë dhe kemi të drejtë ta theksojmë atë që besojmë. Dhe kjo thirrje sot thotë: Jo në emrin tim! Jo në emrin tim!”, deklaroi ai.

Ai më pas renditi çështjet për të cilat, sipas tij, brezi i ri nuk dëshiron të heshtë.

“Jo në emrin tim të harrohet çmimi që ky popull pagoi për liri! Jo në emrin tim të harrohen mijëra familje që humbën më të dashurit e tyre! Jo në emrin tim të harrohen të pagjeturit për të cilët familjet ende presin një përgjigje! Jo në emrin tim të harrohet dëshmia e kombit që nuk e pati të lehtë ta shohë Kosovën e lirë! Ne nuk kemi ardhur këtu për urrejtje, kemi ardhur për kujtesë. Kemi ardhur të kërkojmë drejtësi të barabartë për secilin. Sepse drejtësia duhet t’i shërbejë së vërtetës”, tha Selimi.

Ai ka treguar se kujtesa për luftën, sipas tij, ndërtohet edhe përmes memorialeve, këngëve dhe rrëfimeve të brezave që e kanë përjetuar atë periudhë.

“Unë nuk e kam përjetuar luftën, por sa herë që kaloj pranë memorialeve, shoh emrat e UÇK-së, dëgjoj këngët kushtuar dëshmorëve dhe lirisë, dëgjoj historitë nga ky brez dhe dëgjoj historinë se si Kosova u çlirua me qëndresë, e kuptoj se liria ime ka pasur një çmim. Këngët që këndohen për dëshmorët, për trimërinë dhe për Kosovën, nuk janë vetëm një melodi. Ato janë kujtesë, me nder e krenari. Ato na përcjellin zërin e një brezi se luftoi dhe sakrifikoi për lirinë tonë”, u shpreh ai.

Selimi ka thënë se edhe vendet dhe gjurmët e luftës janë pjesë e historisë që duhet ruajtur.

“Ato male, ato rrugë, ato shtëpi të djegura, ato varre, ato këngë, ato memoriale janë pjesë e historisë sonë. Ato na kujtojnë se liria nuk erdhi lehtë dhe pas saj qëndrojnë sakrifica të mëdha”, tha ai.

Në fund, Selimi ka bërë thirrje që brezi i tij ta shohë ruajtjen e kujtesës dhe ndërtimin e Kosovës si përgjegjësi.

“Prandaj sot nuk dua të flas vetëm në emrin tim, dua të flas për brezin tim, për ne që luftën e njohim vetëm nga historia, këngët dhe rrëfimet, por që kemi detyrim të mos e lejojmë që historia të harrohet. Sepse ne nuk trashëguam vetëm një shtet, trashëguam një amanet: ta duam këtë vend, t’i dalim zot këtij vendi, ashtu siç i dolën zot atdheut ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë. Ta ndërtojmë këtë vend me dije, punë dhe përgjegjësi. Ta ruajmë lirinë dhe paqen për të cilat u derdh gjak, t’i kujtojmë ata që u sakrifikuan, dhe kur besojmë se është bërë padrejtësi, ta kemi guximin ta ngremë zërin”, ka deklaruar Selimi.

Ai e ka mbyllur fjalimin duke përsëritur thirrjen e protestës.

“Prandaj sot, për të rënët, për të pagjeturit, për familjet e tyre, për veteranët dhe invalidët e luftës, për të gjithë ata që u sakrifikuan dhe për brezat që do të vijnë pas, ne theksojmë: Jo në emrin tim! Jo në emrin tim!”, shtoi Selimi.