Si po ndikon largimi i Rrahmanit te dardanët?
Franco Foda ka vendosur një standard të ri në Kombëtaren e Kosovës sa i përket disiplinës dhe zbatimit të rregullave, ndërsa qetësia e përzgjedhësit gjerman pas largimit të Amir Rrahmanit është vlerësuar nga analistët sportivë. Gazetari i sportit, Edmond Thaçi, ka thënë se Foda ka dëshmuar përvojën e tij në drejtimin e kombëtareve dhe se…
Sport
Franco Foda ka vendosur një standard të ri në Kombëtaren e Kosovës sa i përket disiplinës dhe zbatimit të rregullave, ndërsa qetësia e përzgjedhësit gjerman pas largimit të Amir Rrahmanit është vlerësuar nga analistët sportivë.
Gazetari i sportit, Edmond Thaçi, ka thënë se Foda ka dëshmuar përvojën e tij në drejtimin e kombëtareve dhe se puna e tij me Kosovën tashmë ka dhënë rezultate konkrete.
“Sigurisht që Franco Foda tashmë ka një përvojë të madhe në drejtimin e kombëtareve, sepse këtë e ka dëshmuar edhe me Austrinë, me të cilën u kualifikua në Kampionatin Evropian. Bëhet fjalë për një trajner i cili ka bërë tashmë diferencën dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Kombëtaren e Kosovës. Ishim vetëm nëntëdhjetë minuta larg kualifikimit në Kampionatin Botëror, dhe kjo ndoshta është dëshmia më e mirë se puna e tij po vërehet. Sigurisht që përzgjedhësi deklaroi edhe në konferencën për media se është munduar ta bindë kapitenin Amir Rrahmani që të rikthehet dhe të vazhdojë të luajë me Kosovën, sepse kompetencat e përzgjedhësit nuk janë që të ndërlidhen ndoshta edhe me pakënaqësitë që kanë futbollistët karshi Federatës së Futbollit të Kosovës. Përzgjedhësi është ai i cili mundohet t’i kanalizojë gjërat, pra të ketë një harmoni sa më të mirë në kampin e Dardanëve. Unë besoj shumë që përzgjedhësi Foda tashmë ka vendosur një standard, duke marrë parasysh që njihet për ashpërsinë e tij sa i përket zbatimit të rregullave brenda futbollistëve të kombëtares, dhe kjo është inkurajuese edhe për të ardhmen. Tashmë kemi futbollistë të rinj të cilët i janë bashkuar Kombëtares së Kosovës — futbollistë të cilët i përmendi edhe në konferencë për media. Konsideroj se qetësia e përzgjedhësit Franco Foda duhet të përshëndetet, sepse ai është sikur mësuesi në klasë: të gjithë duhet t’i binden urdhrave të tij, sepse tek e fundit ai e merr përgjegjësinë krejt në fund”, theksoi Thaçi.
Në anën tjetër, gazetari i sportit, Ylber Kelmendi, tha se largimi i kapitenit nuk është situatë e lehtë për asnjë kombëtare, duke vlerësuar mënyrën se si Foda e ka menaxhuar këtë situatë.
“Është e vështirë kur kombëtares i largohet kapiteni, e dimë që Amir Rrahmani ka qenë kapiteni i Kombëtares së Kosovës, ani pse në ndeshjet e fundit nuk është paraqitur dhe kombëtarja ka ecur shumë mirë. Mirëpo, Franco Foda, siç e the edhe ti, me shumë qetësi e mori këtë dhe nuk u mor shumë me largimin e Amir Rrahmanit. Ai e falënderoi Berishën dhe Alitin, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të kaluarën për kombëtaren, por nuk i kushtoi shumë rëndësi edhe Amir Rrahmanit. Ndoshta kjo është edhe politikë e federatës që mos t’i jepet rëndësi një largimi i cili nuk është prit mirë në përgjithësi në opinion. Sa i përket objektivave të kombëtares në këto ndeshje që kemi, unë mendoj se nuk i dhanë përgjigje të qarta. Mendoj se do të duhej të thoshte se objektivi kryesor është vendi i parë, sepse ne jemi mësuar të përballemi me kombëtare të nivelit të Austrisë apo Irlandës, kurse Izraelin e lëmë pak më të dobët. I kemi mposhtur si Suedinë apo Sllovakinë, dhe me Turqinë për vetëm një gol nuk kaluam në Kampionatin Botëror. Kështu që unë kam pritur nga trajneri të thotë se objektivi kryesor është vendi i parë”, deklaroi Kelmendi.
Ndërkohë, analisti sportiv Alban Lumi ka vlerësuar se rreth Kombëtares së Kosovës është krijuar një perceptim për turbulenca, ndonëse sipas tij brenda ekipit situata duket më e qetë.
“Unë po mendoj që është kërkuar një mjegullim nga disa të cilët vetëm i krijojnë nëpërmjet media, ndërkaq në substancë, atje në kombëtare dhe në strukturat udhëheqëse, nuk ka pasur turbulenca. E kanë pritur ashtu siç e kanë pritur, sigurisht se nuk pritet mirë një veprim nga një kapiten të cilit i ke besuar për shtatë vjet, ta mbajë shiritin e kapitenit, të jetë afër shikuesve dhe lojtarëve. Por megjithatë, këto janë gjëra që ndodhin jo vetëm në Kosovë. Tani më Foda me bashkëpunëtorët e tij tregoi qartë se nuk ka turbulenca. E kanë rimarrë veten edhe nëse kanë qenë paksa të hutuar nga këto veprime. Poashtu për Hadërgjonaj tregoi se e kaluara është e kaluar dhe me fjalinë që tha ‘futbolli është e tashmja’ do të mendojmë për ndeshjet që na presin në këtë kampanjë. Me këtë grup që ka, është i kënaqur. Besoj që duhet t’i japim të drejtë Fodës në bazë të rezultateve të fundit që i pati dhe të presim këtë kampanjë se si do të shkojë”, tha Lumi.
Kosova të mërkurën, më 24 shtator, e nis kampanjën e saj në Ligën e Kombeve, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” përballet me Irlandën.