Hoxhaj: Në ajër shihej se do të ishte një vendim drakonik, dihej se do t’i shpallnin fajtorë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vërehej në ajër që do të jetë një vendim drakonik për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte i pranishëm në Galerinë e Publikut kur u shqiptua dënimi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin. “Unë isha vetë në Galeri…
Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vërehej në ajër që do të jetë një vendim drakonik për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ishte i pranishëm në Galerinë e Publikut kur u shqiptua dënimi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
“Unë isha vetë në Galeri duke e ndjekë seancën afër dhe në ajër shihej që para se me ia nisë me e lexu vendimin gjykatësi, që do të jetë një vendim drakonik. 25 vjet. Po s’i kanë marrë 25 vjet ata të cilët kanë planifiku gjenocid, spastrim etnik në krejt ish-Jugosllavinë”, tha Hoxhaj në Klan Kosova.
“Unë mendoj se çfarë ndodhi atë ditë në Gjykatë, është përmbysje e historisë së Kosovës. Nuk mujshe me besu që një panel gjyqësor i një gjykate e cila thotë se është Gjykatë e Kosovës, e nisë tregimin me marsin e 98-tës dhe nuk e përmend aparteidin, nuk e përmend okupimin, nuk i përmen përndjekjet, nuk e përmend faktin që janë vra fëmijë e gra, nuk e përmend shtypjen 100-vjeçare, nuk e përmend shpërnguljen dhe spastrimin etnik dhe nuk e përmend gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë – të gjitha këto të dokumentume nga organizatat ndërkombëtare, prej OKB-së e deri poshtë”.