Dy ditë pas vendimit të Speciales, lajmërohet Peci: Stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës, çdo përpjekje për linçimin e saj do të merr kundërshtimin tonë

Kanë kaluar mbi 48 orë nga vendimi i Gjykatës Speciale dhe më në fund Faton Peci, kryetari i partisë “Guxo” që është pjesë e koalicionit që udhëheq Kosovën, ka vendosur të lajmërohet. Por, jo për të folur për vendimin, por për t’i dal në mbrojtje bashkëpartiakës, zëvendëskryeministres, Donika Gërvallës, e cila si Ministre e Drejtësisë…

Lajme

18/09/2026 15:39

Kanë kaluar mbi 48 orë nga vendimi i Gjykatës Speciale dhe më në fund Faton Peci, kryetari i partisë “Guxo” që është pjesë e koalicionit që udhëheq Kosovën, ka vendosur të lajmërohet.

Por, jo për të folur për vendimin, por për t’i dal në mbrojtje bashkëpartiakës, zëvendëskryeministres, Donika Gërvallës, e cila si Ministre e Drejtësisë nuk e ka thënë asnjë fjalë mbi aktgjykimin, transmeton lajmi.net.

Në protestën që u organizua sot nga OVL-UÇK në Prishtinë , kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati kërkoi shkarkimin e Donika Gërvallës, pasi tha se ajo ka dorëzuar dosje në Hagë.Peci në reagimin e bërë ka kërkuar që të ndalen sulmet ndaj Gërvallës. Ai nuk e mohoi akuzën e Gucatit por tha se çdo përpjekje për ta linçuar ministren do të merr kundërshtimin e ashpër të partisë.

Postimi i plotë:
Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe.
Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë!
Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!/lajmi.net/