Ish-diplomati amerikan: U befasova nga dënimi i rëndë i Speciales, historia s’mund të ndryshohet, të shohim procesin e apelimit

Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, është shprehur i ‘’befasuar’’ me dënimin ‘’e rëndë’’ të ish-krerëve të UÇK-së, nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë. Megjithatë, shton Riker, duhet të pritet edhe procesi përpara që është i apelimit, dhe se, gjëja më e rëndësishme është të mendohet për të ardhmen e rajonit. ‘’Epo, pas një kohe shumë…

Lajme

17/09/2026 18:43

Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, është shprehur i ‘’befasuar’’ me dënimin ‘’e rëndë’’ të ish-krerëve të UÇK-së, nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.

Megjithatë, shton Riker, duhet të pritet edhe procesi përpara që është i apelimit, dhe se, gjëja më e rëndësishme është të mendohet për të ardhmen e rajonit.

‘’Epo, pas një kohe shumë të gjatë, sot mësuam për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në këtë rast. Procesi zgjati për disa vite, sigurisht, me Hashim Thaçin dhe të pandehurit e tjerë që po mbaheshin në paraburgim. Sinqerisht, u befasova që u dha një dënim kaq i rëndë. Ky është aktgjykimi i gjykatës, i Dhomave të Specializuara, dhe tani, sigurisht, çështja do të kalojë në procesin e apelimit dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati i këtij procesi. Epo, nuk më takon mua të them. Aktgjykimi është aktgjykimi. Ky është një proces përmes një institucioni që është krijuar për këtë qëllim. E di se në rajon, tek shumë njerëz, kjo shkakton një dhimbje të madhe. Por, siç thashë, duhet të shohim procesin që na pret, i cili përfshin edhe procesin e apelimit, dhe të shohim se ku mund të na çojë ky proces në fund. Mendoj se gjëja e rëndësishme është të mendojmë për të ardhmen e rajonit, të ardhmen e Kosovës, të ardhmen e Serbisë, të ardhmen e të gjithë Ballkanit dhe të Evropës. Dhe ka qenë prej kohësh shpresa ime që të shohim përparim të vërtetë në këtë drejtim. Fatkeqësisht, përparimi ka qenë shumë i ngadalshëm dhe nuk jam i sigurt se ky aktgjykim apo ky proces na ndihmon në këtë drejtim’’, ka deklaruar ai.

Riker, ka dhënë komentet e tij edhe për pakënaqësitë e shprehura lidhur me vendimin, duke theksuar se s’duhet të ketë dhunë, pasi që ajo është e pajustifikueshme, dhe se, është koha që ‘’të ecim drejt diçkaje më të qëndrueshme’’.

‘’Përsëri, u takon njerëzve të mendojnë për rrugën më të gjerë që duhet ndjekur. Shprehja e reagimeve dhe e ndjenjës së padrejtësisë në këtë proces, që është ajo që po shohim në shumë raste, nuk duhet të jetë justifikim për dhunë. Kemi pasur mjaft dhunë në këtë rajon gjatë dekadave dhe shekujve. Është koha të ecim përpara drejt diçkaje më të qëndrueshme. Për këtë kishte të bënte edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kur punoja për këtë çështje, së bashku me baroneshën Catherine Ashton të BE-së, më shumë se një dekadë më parë, pikërisht këtë po përpiqeshim të arrinim. Dhe bëmë disa hapa përpara me marrëveshjen, Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2015. Fatkeqësisht, kanë kaluar më shumë se një dekadë dhe nuk kemi parë ndonjë përparim të mëtejshëm. Do të shpresoja që njerëzit të ndaleshin për një moment dhe të mendonin se çfarë nënkupton e gjithë kjo, si dhe të përpiqeshin të gjenin një rrugë të re përpara, në mënyrë që asgjë nga kjo të mos shihet si e kotë dhe që të gjithë njerëzit e rajonit të mund të kenë një të ardhme më të ndritur.’’, ka shtuar ai.

Më tej, ish-diplomati amerikan ka thënë se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka pas të bëjë me përgjegjësinë individuale, dhe jo atë kolektive, duke shtuar se historia s’mund të ndryshohet.

‘’Mendoj se tashmë kemi parë që, vetëm pak minuta dhe orë pas shpalljes së aktgjykimit, ka pasur reagime të forta, siç thashë, dhe te shumë njerëz është shfaqur një ndjenjë padrejtësie. Gjëja e rëndësishme për t’u mbajtur mend është se kjo është pjesë e një procesi që përfshin edhe ankimin. Jam i sigurt se ai proces tashmë ka filluar. Ky ishte një rast që lidhej me përgjegjësinë individuale, siç e vlerësoi gjykata. Nuk bëhet fjalë për përgjegjësi kolektive, dhe mendoj se njerëzit në rajon duhet ta kenë parasysh këtë, por edhe të mendojnë për të ardhmen e tyre më të gjerë dhe për mënyrën se si mund të ecin përpara. Nuk mund ta ndryshoni historinë. Nuk mund ta ndryshoni gjeografinë dhe realitetet e rajonit. Një zgjidhje më e mirë është të gjendet një rrugë përpara, në mënyrë që të gjithë njerëzit e rajonit të mund të jetojnë në një situatë më të sigurt dhe më të begatë, dhe të punojnë për të ardhmen — për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve e nipërve të tyre’’, ka deklaruar më tej ai.

Riker, ka theksuar se e nevojshme është që njerëzit të shohin një mundësi që njerëzit e të gjitha vendeve të rajonit të ecin përpara, veçanërisht në rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik

‘’Nuk më takon mua të përshkruaj se cili do të jetë ndikimi. Tashmë po shohim reagime ndaj kësaj në pjesë të ndryshme të rajonit. Natyrisht, njerëz të ndryshëm kanë reagime të ndryshme ndaj kësaj. Përsëri, mendoj se është e rëndësishme të shikohet tabloja e gjerë dhe mënyra se si vendet mund të gjejnë një rrugë për të ecur përpara. Procesi duhet të jetë një proces i gjetjes së paqes dhe i gjetjes së një mënyre për të jetuar së bashku. Përsëri, nuk mund ta ndryshoni gjeografinë. Nuk mund ta ndryshoni historinë. Ajo që na nevojitet është të shohim një mundësi që njerëzit e të gjitha vendeve të rajonit të ecin përpara, veçanërisht në rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik, diçka për të cilën të gjitha vendet kanë folur si një mënyrë për ta çuar rajonin drejt më shumë sigurisë dhe prosperitetit. Do të ketë njerëz që do të duan të shohin paqëndrueshmëri në rajon. Do të ketë edhe nga ata që do ta nxisin atë. Dhe është përgjegjësi e liderëve që të përpiqen të bëjnë thirrje për qetësi, t’i lejojnë proceset e apelimit të ecin përpara dhe, shpresoj, t’i inkurajojnë liderët nga të gjitha palët të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje afatgjata.’’, ka përfunduar ai.