Katër dënime, 81 vite burgim dhe një tjetër betejë që nis në Apel – avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit pritet që t’i drejtohen edhe një gjykate

Pas shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, katër ekipet e mbrojtjes kundërshtuan vendimet dënuese dhe paralajmëruan se do t’i drejtohen shkallës së Apelit. Trupi gjykues i shpalli fajtorë katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përgjegjësi penale për një…

Lajme

17/09/2026 12:11

Pas shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, katër ekipet e mbrojtjes kundërshtuan vendimet dënuese dhe paralajmëruan se do t’i drejtohen shkallës së Apelit.

Trupi gjykues i shpalli fajtorë katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përgjegjësi penale për një sërë veprash të përfshira në aktakuzë dhe u shqiptoi gjithsej 81 vjet burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet, raporton lajmi.net.

Aktgjykimi i së mërkurës është i shkallës së parë, ndërsa mbrojtjet kanë të drejtë ta apelojnë atë. Pikërisht këtë rrugë kanë vendosur ta ndjekin avokatët e katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët pas vendimit folën para mediave në Hagë dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj konkluzioneve të gjykatës.

I pari që foli ishte avokati i Hashim Thaçit, Pierre Richard Prosper. Ai e kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar si fyese deklaratën e gjykatës se aktgjykimi ishte shpallur “në emër të popullit të Kosovës”.

“Unë ndoshta do të hy në problem për këtë, por unë solla kokën kur Gjykata tha se dënimi është në emër të popullit të Kosovës, ishte fyese, sepse kjo nuk ishte në emër të popullit të Kosovës, ata nuk i dëgjuan dëshmitë”, tha Prosper.

Avokati i Thaçit tha gjithashtu se Kuvendi i Kosovës duhet të përfshihet në çështjen e Dhomave të Specializuara. Ai deklaroi se, po të ishte vetë deputet i Kuvendit, do të kërkonte tërheqjen e mbështetjes për këtë Tribunal.

“Nëse do të isha në Kuvendin e Kosovës, do të tërhiqja mbështetjen për këtë Tribunal që nesër, sepse kjo është abuzim me drejtësinë, abuzim i procesit sipas mendimit tim”, deklaroi Prosper.

Pas tij, për aktgjykimin foli avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. Ai tha se mbrojtja nuk pajtohet me vendimin, duke pretenduar se gjatë procesit nuk është dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme përgjegjësia penale e Veselit.

“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ne kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, ndonjë vrasje apo në ndonjë aktivitet kriminal. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë për sundimin e ligjit apo për drejtësinë ndërkombëtare”, tha Dixon, shkruan lajmi.net.

Ai bëri të ditur se mbrojtja do ta analizojë aktgjykimin dhe do të përgatisë një ankesë, duke theksuar se synimi i tyre mbetet dëshmimi i pafajësisë së Veselit.

“Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë që sapo kemi marrë, në mënyrë që të përgatisim një ankesë të fuqishme dhe të vazhdojmë luftën tonë për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta sjellë atë në shtëpi”, tha ai.

Dixon tregoi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë të shkurtër me Veselin pas shpalljes së aktgjykimit. Sipas tij, ish-kryetari i Kuvendit ishte në disponim të mirë dhe i gatshëm të vazhdonte procesin në shkallën e Apelit.

“Kam pasur një bisedë të shkurtër me të. Ai është në disponim të mirë dhe është i gatshëm të vazhdojë tutje në shkallën tjetër”, deklaroi Dixon.

Mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Jeoffrey Roberts, e cilësoi aktgjykimin si zhgënjyes, por theksoi se vendimi i shpallur të mërkurën përbën vetëm fazën e parë të procesit gjyqësor.

“Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin, por është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është vetëm faza e parë, beteja e parë, si të thuash”, tha Roberts.

Ai theksoi se Selimi synon t’i shfrytëzojë të drejtat e tij ligjore për ta apeluar aktgjykimin, ndërsa shprehu bindjen e mbrojtjes se ai do të shpallet i pafajshëm.

“Z. Selimi synon plotësisht t’i ushtrojë të drejtat e tij për ta apeluar këtë aktgjykim përmes kuadrit ligjor të Kosovës dhe ne jemi të bindur se në fund, përfundimisht, ai do të shpallet i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, deklaroi Roberts.

Në fund, për aktgjykimin foli edhe avokatja e Jakup Krasniqit, e cila konfirmoi se mbrojtja do ta apelojë vendimin.

Ajo e cilësoi aktgjykimin si zhgënjyes dhe tha se synimi i mbrojtjes është lirimi i Krasniqit.

“Do të apelojmë për Jakup Krasniqin. Rezultati do të ishte lirimi i Jakup Krasniqit. Jemi ende në proces dhe do të dëgjoni lajme nga ne. Siç thashë, aktgjykimi është zhgënjyes dhe do ta apelojmë atë”, deklaroi avokatja.

Ajo bëri të ditur se ende nuk kishte biseduar me Krasniqin pas shpalljes së aktgjykimit, ndërsa tha se do të fliste me të një ditë më pas.

Kështu, në ditën e shpalljes së vendimit, mbrojtjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhanë sinjale të qarta se procesi gjyqësor nuk përfundon me aktgjykimin e shkallës së parë. Të katër ekipet paralajmëruan se do ta kundërshtojnë vendimin përmes procedurave të Apelit, ndërsa avokatët e tyre shprehën bindjen se në shkallët e mëtejshme mund të ndryshojë rezultati për klientët e tyre.

Kësisoj shpresa mbetet tek vendimi i Gjykatës së Apelit, që të vendosi drejtësinë dhe t’i lirojë 4shen e UÇK-së nga Haga./Lajmi.net/