Daniel Serwer kritikon ashpër Specialen: Nuk është vetëm vendimi i padrejtë, është vetë gjykata
Profesori amerikan Daniel Serwer ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke e cilësuar procesin si të padrejtë. Në një analizë të tij, Serwer argumenton se Thaçi dhe të tjerët u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për…
Lajme
Profesori amerikan Daniel Serwer ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke e cilësuar procesin si të padrejtë.
Në një analizë të tij, Serwer argumenton se Thaçi dhe të tjerët u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, Thaçi nuk kishte autoritet komandues mbi forcat e UÇK-së që kryen krimet dhe roli i tij gjatë luftës ishte politik dhe komunikues.
Serwer e lidh këtë zhvillim me krijimin e Dhomave të Specializuara nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane. Ai pretendon se gjykata, ndonëse juridikisht pjesë e sistemit të Kosovës, funksionon në mënyrë thelbësisht ndërkombëtare, me staf ndërkombëtar dhe me financim evropian.
Në analizë, Serwer vendos përballë këtij procesi zhvillimet në Serbi, duke përmendur rolin e Aleksandar Vuçiqit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit dhe nderimet shtetërore ndaj Ratko Mlladiqit. Sipas tij, ky kontrast ka krijuar perceptimin te shumë shqiptarë të Kosovës se drejtësia ndërkombëtare po zbatohet në mënyrë të pabarabartë.
Serwer paralajmëron se vendimi pritet të shkaktojë zemërim në Kosovë dhe mund të ketë protesta, por bën thirrje që ato të jenë paqësore. Ai gjithashtu thekson se Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë do ta apelojnë vendimin dhe se procesi mund të zgjasë me vite.
Në përfundim, Serwer shkon përtej kritikës ndaj aktgjykimit dhe e vë në pikëpyetje vetë modelin e Dhomave të Specializuara, duke shkruar:
“Nuk është vetëm vendimi ai që është i padrejtë. Është vetë gjykata.”