E pabesueshme: Ylli zviceran lë kombëtaren në moshën 26 vjeçare

Një vendim i papritur ka tronditur kombëtaren zvicerane. Noah Okafor ka bërë të ditur se do të largohet përkohësisht nga përfaqësuesja, duke e lidhur vendimin me marrëdhënien e tij me trajnerin Murat Yakin. Në një reagim të gjatë dhe emocional, sulmuesi ka rrëfyer se besimi është dëmtuar dhe se, në kushtet aktuale, nuk e sheh…

Sport

10/09/2026 15:15

Një vendim i papritur ka tronditur kombëtaren zvicerane. Noah Okafor ka bërë të ditur se do të largohet përkohësisht nga përfaqësuesja, duke e lidhur vendimin me marrëdhënien e tij me trajnerin Murat Yakin.

Në një reagim të gjatë dhe emocional, sulmuesi ka rrëfyer se besimi është dëmtuar dhe se, në kushtet aktuale, nuk e sheh veten duke vazhduar të luajë nën drejtimin e teknikut zviceran.

“Këto janë rreshtat më të vështirë që kam shkruar në karrierën time deri tani. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kombëtarja zvicerane deri në njoftim të mëtejshëm”, ka shkruar Okafor në nisje të mesazhit të tij.

Futbollisti ka pranuar se ky ka qenë një nga vendimet më të vështira të karrierës së tij, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë që ka për të fanella e kombëtares. Megjithatë, pas një periudhe të gjatë reflektimi, ai ka arritur në përfundimin se nuk dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e përfaqësueses për sa kohë që në krye të saj qëndron Yakin.

“Në javët që pasuan, mendova shumë për këtë dhe vendosa që nuk doja më të luaja për ekipin kombëtar nën drejtimin e trajnerit aktual”, ka deklaruar Okafor.

Pavarësisht vendimit të tij, 25-vjeçari nuk ka mohuar meritat e trajnerit Yakin. Përkundrazi, ai ka theksuar se tekniku po bën një punë të mirë me kombëtaren dhe se rezultatet e tij flasin vetë. Problemi, sipas Okafor, qëndron te marrëdhënia personale dhe profesionale mes tyre, e cila tashmë nuk bazohet më në besimin e nevojshëm.

“Sigurisht, nuk dua ndonjë trajtim të veçantë prej tij. Vetëm respekt dhe besim të ndërsjellë, por nuk e shoh atë themel për vitet e ardhshme”, është shprehur sulmuesi.

Okafor ka zbuluar gjithashtu se gjatë periudhës së fundit kanë ndodhur disa situata që e kanë prekur thellë. Sipas tij, disa premtime nuk janë respektuar dhe besimi mes palëve është dëmtuar.

“Ndodhën gjëra që më prekën thellë. Besimi u thye. Premtimet nuk u mbajtën”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se vendimi i tij nuk është marrë në mënyrë impulsive, por është rezultat i një pakënaqësie të krijuar gradualisht.

Një tjetër moment që duket se ka ndikuar në vendimin e tij ishte ndeshja ndaj Algjerisë. Okafor tregon se edhe pse iu dha mundësia të luante, reagimet ndaj gabimeve të tij nuk ishin ato që ai priste dhe e prekën emocionalisht.

“Kur më lejuan të luaja kundër Algjerisë, edhe gabimet e vogla larg qëllimeve tona u pritën me reagime që më prekën thellë”, ka shtuar ai.

Pavarësisht tensioneve, Okafor e ka lënë derën hapur për një rikthim të mundshëm në të ardhmen. Vendimi i tij është cilësuar si i përkohshëm dhe lidhet drejtpërdrejt me situatën aktuale në kombëtare. Kjo do të thotë se një ndryshim në rrethanat e ardhshme mund ta bëjë të mundur rikthimin e tij te Zvicra.

Largimi i tij përbën një goditje për kombëtaren zvicerane, duke pasur parasysh cilësitë dhe eksperiencën që Okafor sjell në repartin ofensiv. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të jetë përfundimtare apo nëse palët do të gjejnë një mënyrë për të rikthyer besimin e humbur.