Ish-e dashura e Elon Musk: Më ofroi 40 milionë dollarë që të mos flisja për të
Ashley St. Clair, ish-partnerja e Elon Musk dhe nëna e njërit prej fëmijëve të tij, ka bërë pretendime të reja rreth marrëdhënies së tyre. Influencerja dhe shkrimtarja ka folur për miliarderin në kuadër të dokumentarit “Musk”, me regji të Alex Gibney, në të cilin ajo është një nga personat e intervistuar, shkruan People. St. Clair…
ShowBiz
Ashley St. Clair, ish-partnerja e Elon Musk dhe nëna e njërit prej fëmijëve të tij, ka bërë pretendime të reja rreth marrëdhënies së tyre.
Influencerja dhe shkrimtarja ka folur për miliarderin në kuadër të dokumentarit “Musk”, me regji të Alex Gibney, në të cilin ajo është një nga personat e intervistuar, shkruan People.
St. Clair pretendon se, para lindjes së djalit të tyre Romulus në vitin 2024, Musk i kishte dërguar një mesazh ku shprehej se dëshironte një “legjion fëmijësh para luftës civile”.
Ajo është shprehur gjithashtu për postimet politike të Musk në platformën X, duke thënë se beson se mesazhet e tij mund të kenë pasoja serioze përtej rrjeteve sociale.
“Besoj se ai po nxit qëllimisht ndarjet, të cilat mund të jenë katastrofike nëse nuk rregullohen apo frenohen, ose nëse ne nuk bëjmë pjesën tonë dhe përpiqemi ta ndalim këtë”, ka thënë St. Clair.
Ashley St. Clair (Foto: Agency Srl/Alamy)
St. Clair ka bërë gjithashtu pretendime lidhur me një shumë të madhe parash që, sipas saj, i ishte ofruar në këmbim të heshtjes për marrëdhënien me Musk. Ajo thotë se iu ofruan 40 milionë dollarë (rreth 34.3 milionë euro) që të mos zbulonte detaje rreth raportit të tyre në dokumentarin “Musk”.
“Kur të ofrohet diçka e tillë, kjo vërtet të bën të mendosh se çfarë do të thotë fjala jote, sa vlen ajo dhe pse dikush dëshiron të të ofrojë një shumë kaq të madhe që të mos flasësh”, ka rrëfyer ajo.
Për një përpjekje të pretenduar për të lidhur një marrëveshje konfidencialiteti, St. Clair kishte folur edhe më herët. Në qershor, ajo pretendoi se Jared Birchall, i cili menaxhon një pjesë të biznesit dhe pasurisë së Musk, i kishte prezantuar një marrëveshje të tillë.
Sipas versionit të saj, Musk fillimisht i kishte dërguar një mesazh ku kërkonte që asaj t’i paguheshin 15 milionë dollarë (rreth 12.9 milionë euro) për një shtëpi dhe siguri financiare. St. Clair pretendon se disa ditë më vonë kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Birchall, gjatë së cilës i ishte thënë se do të duhej të ekzistonte një lloj marrëveshjeje konfidencialiteti.
Ajo thotë se e kishte refuzuar ofertën, e cila përfshinte 15 milionë dollarë (rreth 12.9 milionë euro) dhe 100 mijë dollarë (rreth 85.8 mijë euro) shtesë në muaj për 20 vjet, në këmbim të heshtjes së saj rreth marrëdhënies me Musk.
St. Clair ka paraqitur në shkurt të vitit 2025 kërkesë për kujdestarinë e vetme të djalit të tyre, Romulus. Marrëdhënia e saj me Musk dhe mosmarrëveshja lidhur me djalin e tyre janë gjithashtu ndër temat që pritet të trajtohen në dokumentar.
Dokumentari “Musk”, me regji të Alex Gibney, është shfaqur premierë në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi trajton jetën private të Musk, karrierën e tij në biznes dhe ndikimin që ka ushtruar, ndërsa pritet të shfaqet në kinema më 16 tetor.
Vetë Musk nuk ka marrë pjesë në realizimin e dokumentarit. Që vitin e kaluar, para premierës, ai e kishte përshkruar në platformën X si një film të realizuar me qëllim për ta njollosur imazhin e tij.