“VV nuk e ka problem Listën Serbe, por PDK-në e LDK-në” – Analistët: Nuk pritet konstituimi i Kuvendit, Kurti synon sërish zgjedhje
Albulena Haxhiu është zgjedhur sot kryetare e Kuvendit të Kosovës. Por, konstituimi i Kuvendit ngeci në zgjedhjen e nënkryetarëve. Seanca u ndërpre për të vazhduar të premten në ora 11:00, pasi deputeti serb, Igor Simiq propozoi nënkryetarin e Listës Serbe në emër të “popullit serb”, që bëri që Haxhiu t’ia ndërpriste fjalën dy herë, duke…
Lajme
Albulena Haxhiu është zgjedhur sot kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Por, konstituimi i Kuvendit ngeci në zgjedhjen e nënkryetarëve.
Seanca u ndërpre për të vazhduar të premten në ora 11:00, pasi deputeti serb, Igor Simiq propozoi nënkryetarin e Listës Serbe në emër të “popullit serb”, që bëri që Haxhiu t’ia ndërpriste fjalën dy herë, duke i kërkuar që të deklarohej sipas Kushtetutës së Kosovës.
Më pas, nga Vetëvendosje thanë se nuk e votojnë për nënkryetar Kujtim Shalën nga LDK e as Vlora Çitakun nga PDK.
Analistja politike, Alma Lama, thotë se sot ajo që ndodhi në Kuvend ishte vazhdim i krizës së qëllimshme.
“Kjo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës është vazhdim i krizës në mënyrë të qëllimshme. U gjet një pretekst për të mos e konstituar Kuvendin, siç ishte votimi i dy nënkryetarëve nga partitë e tjera. Pozita e nënkryetarëve është e përcaktuar me Kushtetutë, dhe VV si partia më e madhe nuk ka të drejtë t’ua mohojë këtë pozitë kushtetuese. Po aq artificiale dhe e papërgjegjshme ishte edhe pretendimi se Lista Serbe po flet në emër të popullit serb. Lista Serbe përfaqëson serbet e Kosovës, dhe e drejta e fjalës është e garantuar me Kushtetutë. Ata kanë bërë propozimin sipas procedurale të Kuvendit. Nuk është në interesin e Kosovës të krijojë probleme të kota me minoritetet për lojëra politike”, është shprehur ajo.
Lama nuk pret që që të konstituohet Kuvendi të premten, teksa vlerëson se VV ka vendosur të bllokojë Kuvendin.
“Nuk pres që do të konstituohet. Votat për zgjedhjen e kryetarit i kanë pasur prej fillimit, por VV ka vendosur të bllokojë Kuvendin. Qëllimet i di vetëm Kurti, por një gjë është e sigurt që rendi kushtetues është shkatërruar”, ka potencuar ajo.
Sipas saj, seanca ishte jokushtetuese dhe se Kurti do zgjedhje të reja.
“Seanca e sonte ishte jokushtetuese. Kurti do zgjedhje të tjera e të tjera, ndërkohë që e mban pozitën e kryeministrit në mënyrë të paligjshme. Vetëm populli me votë ose protesta masive mund ta zgjidhë këtë situatë”, ka deklaruar Alma Lama.
Ndërsa, analisti Arton Muhaxheri ka thënë se ka pritur që të mos konstituohej Kuvendi por që jo që do të përdorej kjo metodë.
“Unë e kam pritur që sot të mos kemi konstituim të Kuvendit. Ajo që nuk e kam ditur ishte se me çfarë metode do të provohej sërish bllokimi i institucioneve. Dhe sot e morëm përgjigjen: problemi i Vetëvendosjes qenkan bërë dy shqiptarë, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, të propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja për nënkryetarë të Kuvendit”, ka shtuar ai.
Analisti ka shtuar se sot u dëshmua se VV nuk e ka problem Listën Serbe por PDK e LDK.
“Sot u dëshmua edhe një herë se Lista Serbe nuk është problemi i VV-së. Lista Serbe përdoret vetëm si instrument për ta mbajtur gjallë retorikën nacionaliste dhe për ta mobilizuar elektoratin. Problemi real i Kurtit dhe VV-së janë partitë shqiptare, sepse qëllimi i tyre është dobësimi i opozitës dhe largimi i saj nga skena politike. Kur bëhet fjalë për Listën Serbe heshtin, ndërsa kur bëhet fjalë për PDK-në dhe LDK-në, shpikin pengesa të reja”, ka vlerësuar Muhaxheri për Gazeta Blic.
Ai nuk pret që të ketë konstituim të Kuvendit dhe krijim të institucioneve deri më 16 shtator.
“Unë nuk pres që deri më 16 shtator të kemi krijim të institucioneve. Mund të ketë tentativa, mund të ketë skenarë dhe deklarata për ta krijuar përshtypjen se po punohet për zgjidhje, por sot u pa qartë kush po e bllokon procesin. Nuk janë PDK-ja, nuk është LDK-ja dhe nuk janë dy kandidatët shqiptarë për nënkryetarë. Është Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Analisti ka potencuar se qytetarët e shohin qartë këtë lojë politike dhe ata duhet ta japin verdiktin.
“Dhe besoj se qytetarët e Kosovës po e shohin shumë qartë këtë lojë politike. Në fund, qytetarët janë ata që japin verdiktin. Ata do t’ua japin përgjigjen politike të gjithë atyre që, për interesa partiake dhe pushtet, po e mbajnë peng krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Arton Muhaxheri./Lajmi.net/