Lushaku për rezultatet e PISA-s: Turp qeveritar, rreth tre në katër nxënës nuk arrijnë nivelin bazë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Jehona Lushaku ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Testit PISA 2025, duke i cilësuar ato si “turp qeveritar”. Lushaku-Sadriu ka thënë se rezultatet janë shqetësuese, jo vetëm për shkak se Kosova vazhdon të renditet në fund të tabelës, por edhe për faktin se, sipas saj, nuk ka pasur…

Lajme

08/09/2026 12:31

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Jehona Lushaku ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Testit PISA 2025, duke i cilësuar ato si “turp qeveritar”.

Lushaku-Sadriu ka thënë se rezultatet janë shqetësuese, jo vetëm për shkak se Kosova vazhdon të renditet në fund të tabelës, por edhe për faktin se, sipas saj, nuk ka pasur përmirësim të njohurive të nxënësve gjatë dekadës së fundit.

Sipas saj, rezultatet tregojnë se rreth tre në katër nxënës në Kosovë nuk arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

“Fëmijët kalojnë rreth një dekadë në sistemin arsimor dhe një pjesë dërrmuese e tyre arrijnë moshën 15-vjeçare pa kompetencat bazë, që shkolla duhet t’ua japë”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka krahasuar rezultatet e vitit 2025 me ato të vitit 2015. Ajo ka theksuar se Kosova kishte 362 pikë në matematikë në vitin 2015, ndërsa sot rreth 350 pikë. Në lexim, sipas saj, rezultati ka rënë nga 347 në rreth 340 pikë, ndërsa në shkencë nga 378 në rreth 357 pikë.

Lushaku-Sadriu ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si është menaxhuar arsimi gjatë viteve të fundit, duke përmendur problemet me tekstet shkollore, grevat, digjitalizimin, mësimin tërëditor, zhvillimin profesional dhe vlerësimin e mësimdhënësve.

Ajo ka thënë se, pavarësisht strategjive, reformave dhe investimeve në arsim, nuk është arritur rezultati kryesor – përmirësimi i dijes dhe kompetencave të nxënësve.

Sipas saj, sistemi arsimor duhet të orientohet më shumë drejt zhvillimit të leximit me kuptim, mendimit kritik, arsyetimit dhe zgjidhjes së problemeve, kompetenca që, siç ka theksuar ajo, maten pikërisht nga PISA.

Në fund, Lushaku-Sadriu ka kërkuar përgjegjësi politike për rezultatet e fundit, duke deklaruar: “Prandaj, Qeveria duhet të turpërohet sot para familjeve dhe fëmijëve të Kosovës!”