Kryetari i Kamenicës thotë se Qëndron Kastrati ia la “amanet” bashkëpunimin me Bojanin, i cili lartësoi figurën e kriminelit Mlladiq

Ish-nënkryetari i Kamenicës, Bojan Stamenkoviq, ka publikuar në Facebook Story një fotografi të ish-komandantit të forcave serbe në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i cili ka vdekur së fundmi. Publikimi i fotografisë ka nxitur reagimin e kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili e ka cilësuar këtë veprim si shqetësues dhe e ka lidhur me…

Lajme

08/09/2026 11:59

Ish-nënkryetari i Kamenicës, Bojan Stamenkoviq, ka publikuar në Facebook Story një fotografi të ish-komandantit të forcave serbe në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i cili ka vdekur së fundmi.

Publikimi i fotografisë ka nxitur reagimin e kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili e ka cilësuar këtë veprim si shqetësues dhe e ka lidhur me përgjegjësinë politike të ish-pushtetit komunal.

Rahimaj ka thënë se veprimi i ish-nënkryetarit nuk duhet të shihet vetëm si një “gabim personal”, por, sipas tij, paraqet edhe një dështim moral e politik të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Ai ka rikujtuar se në përfundim të mandatit të Kastratit, ky i fundit i kishte lënë si “amanet” që bashkëpunimi me Stamenkoviq të vazhdonte dhe që ai të mos largohej nga pozita.

“Ky nuk është thjesht një gabim personal, por një dështim moral e politik i atyre që i përzgjodhën dhe i mbajtën në pushtet”, ka deklaruar Rahimaj, duke iu referuar publikimit të fotografisë së Mlladiqit.

Rahimaj ka kritikuar ish-pushtetin për përzgjedhjen e personave në pozita publike, duke thënë se sot po dëshmohet se disa prej tyre shfaqin qëndrime që glorifikojnë figura të lidhura me krimet e luftës.

Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, është dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë. /Lajmi.net/