SBASHK-u mbështet “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka bërë të ditur se ka marrë mbështetjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë. Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari,…

Lajme

05/09/2026 15:34

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka bërë të ditur se ka marrë mbështetjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ku është konfirmuar përkrahja e sindikatës për marshin, transmeton lajmi.net.

Sipas platformës “Liria Ka Emër”, mbështetja nga komuniteti arsimor i jep një shtysë të re organizimit dhe mesazhit që synon të përcjellë protesta.

“Mbështetja e komunitetit arsimor i jep edhe më shumë forcë zërit të përbashkët për liri, drejtësi dhe dinjitet”, thuhet në njoftimin e platformës.

Marshi synon të shprehë mbështetje për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

“Kur arsimi ngrihet në këmbë, zëri i Kosovës bëhet edhe më i fuqishëm”, thuhet më tej në njoftim.

“Marshi për Liri” do të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, ndërsa nisja është paraparë nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë./lajmi.net/