“Të dielën do t’i zbuloj detajet” – Vuçiq tregon se Rutte ia ka kthyer letrën për çështjen e urës mbi lumin Ibër
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka marrë një letër nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si përgjigje ndaj letrës që ai ia kishte dërguar më herët. Vuçiq ka thënë se përgjigjja e shefit të NATO-s përmban çështje që lidhen me zhvillimet në Kosovë, ndërsa ka paralajmëruar se detajet…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka marrë një letër nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si përgjigje ndaj letrës që ai ia kishte dërguar më herët.
Vuçiq ka thënë se përgjigjja e shefit të NATO-s përmban çështje që lidhen me zhvillimet në Kosovë, ndërsa ka paralajmëruar se detajet do t’i bëjë publike në ditët në vijim, transmeton lajmi.net.
“Do të tregoj detaje ditëve në vijim, të dielën do t’i zbuloj”, ka deklaruar Vuçiq në një intervistë për “Informer TV”.
Presidenti serb ka sqaruar se nuk ka zhvilluar bisedë me Rutte-n, por se sekretari i përgjithshëm i NATO-s ia ka dërguar përgjigjen me shkrim.
Letra e Vuçiqit drejtuar Rutte-s ishte lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Vuçiq kishte kërkuar nga NATO dhe KFOR-i që të kundërshtojnë hapjen e urës për qarkullim të automjeteve, duke pretenduar se një veprim i tillë mund të ndikojë në situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Në letrën e tij, presidenti serb kishte ngritur edhe shqetësime për situatën e komunitetit serb në Kosovë dhe kishte kërkuar që KFOR-i të luajë rol më të madh në garantimin e sigurisë.
Tash, pas marrjes së përgjigjes, Vuçiq ka zgjedhur të mos zbulojë menjëherë përmbajtjen e saj, duke paralajmëruar se do ta bëjë këtë të dielën.
“Do të tregoj detaje ditëve në vijim, të dielën do t’i zbuloj”, ka përsëritur ai./lajmi.net/