Ish-i burgosuri në rastin “Panda”, Vllaznim Përgjegjaj kërkon hetim për renovimin e lokalit: Kush dha urdhër dhe kush e financoi?
Ish-i burgosuri në rastin “Panda”, Vllaznim Përgjegjaj, ka reaguar pas renovimit të objektit në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998 ndodhi sulmi me armë që la të vrarë gjashtë të rinj serbë. Përgjegjaj u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të sqarojnë rrethanat e ndërhyrjes në këtë objekt, duke kërkuar të dihet se kush…
Lajme
Ish-i burgosuri në rastin “Panda”, Vllaznim Përgjegjaj, ka reaguar pas renovimit të objektit në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998 ndodhi sulmi me armë që la të vrarë gjashtë të rinj serbë.
Përgjegjaj u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të sqarojnë rrethanat e ndërhyrjes në këtë objekt, duke kërkuar të dihet se kush e ka urdhëruar, autorizuar dhe financuar renovimin, transmeton lajmi.net.
“Pas 28 vitesh, kush dha urdhër për renovimin e lokalit ‘Panda’ në Pejë? Kush e autorizoi dhe kush e financoi?”, ka pyetur ai.
Sipas Përgjegjajt, nëse punimet janë kryer me para të buxhetit publik, institucionet duhet të japin informacione të plota për arsyet e renovimit dhe mënyrën se si është realizuar ndërhyrja.
“Ky objekt duhet të ruhet si dëshmi e historisë dhe e këtij rasti, jo të ndryshohet në mënyrë që të humbin gjurmë apo dëshmi që mund të jenë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës”, ka shkruar ai.
Ngjarja e njohur si rasti “Panda” ndodhi më 14 dhjetor 1998 në një kafene në Pejë. Dy persona të maskuar hapën zjarr brenda lokalit, duke vrarë gjashtë të rinj serbë. Autorët e sulmit nuk janë bërë publikisht të ditur.
Pas kësaj ngjarjeje, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë, mes tyre edhe Vllaznim Përgjegjajn, duke i lidhur me sulmin. Përgjegjaj ka deklaruar vazhdimisht se gjatë qëndrimit në burg ishte keqtrajtuar.
Ai kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë punimet e kryera në objekt dhe të hetojnë nëse gjatë renovimit mund të jenë dëmtuar apo larguar materiale me rëndësi për zbardhjen e rastit.
“Unë, shokët e mi dhe shumë shqiptarë të pafajshëm kemi vuajtur rëndë në burgjet serbe për këtë rast. Prandaj nuk mund të heshtim”, ka deklaruar Përgjegjaj./lajmi.net/