​Myftiu Tërnava i kërkon Prokurorisë Speciale të zbardh dokumentit “Top Secret 2”

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar sot Prokurorisë Speciale dhe shefit të saj, Blerim Isufajt, me kërkesë zyrtare për zbardhjen e dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”. Ajo është dorëzuar përmes përfaqësuesit ligjor të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. “Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes kësaj kërkese…

Lajme

04/09/2026 15:10

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar sot Prokurorisë Speciale dhe shefit të saj, Blerim Isufajt, me kërkesë zyrtare për zbardhjen e dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”.

Ajo është dorëzuar përmes përfaqësuesit ligjor të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes kësaj kërkese zyrtare, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si “Top Secret”, përfshirë origjinën, autenticitetin, mënyrën e sigurimit dhe publikimit të tij, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli”, thuhet në një njoftim të BIK për këtë zhvillim.

Më tej në këtë kërkesë thuhet se përmbajtja e publikuar e paraqet këtë institucion në mënyrë të rreme dhe se pretendohet që Bashkësia Islame është nën ndikimin e shërbimeve të huaja të sigurisë, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si institucione të financuara për qëllime destabilizuese.

“Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme, të cilat cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe dinjitetin e institucionit tonë, të imamëve, teologëve dhe besimtarëve tanë”, thuhet në kërkesën e BIK drejtuar Prokurorisë Speciale.