ATK dhe Dogana forcojnë luftën kundër ekonomisë joformale, nisin kontrolle të përbashkëta në terren

Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, së shpejti do të nisë zbatimin e planit të përbashkët të veprimit për luftimin e ekonomisë joformale. Plani synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e kontrolleve të përbashkëta në terren, me fokus në fushat me risk dhe interes të përbashkët, duke mundësuar ndjekjen e…

Lajme

04/09/2026 13:51

Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, së shpejti do të nisë zbatimin e planit të përbashkët të veprimit për luftimin e ekonomisë joformale.

Plani synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e kontrolleve të përbashkëta në terren, me fokus në fushat me risk dhe interes të përbashkët, duke mundësuar ndjekjen e zinxhirit ekonomik nga importi dhe qarkullimi i mallrave deri te shitja dhe konsumi në tregun e brendshëm.

Gjatë vitit 2025, bashkëpunimi ndërmjet ATK-së dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar në 19 kontrolle të përbashkëta në terren dhe në evidentimin e shmangieve nga detyrimet tatimore dhe doganore në vlerë prej 1.6 milionë euro.

Duke u bazuar në këto rezultate dhe në sfidat e identifikuara, plani i ri synon të rrisë më tej efikasitetin e kontrolleve dhe të forcojë mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo formale.

Në këtë kuadër, zbatimi i planit të përbashkët të veprimit synon që kontrollet të orientohen më saktë drejt rasteve me risk, të rritet shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve dhe të sigurohet një mbikëqyrje më e plotë e aktivitetit ekonomik. Përmes këtij mekanizmi, ATK-ja dhe Dogana e Kosovës synojnë të ndërhyjnë në mënyrë më të koordinuar aty ku evidentohen parregullsi, duke parandaluar humbjet në të hyra publike dhe duke siguruar zbatimin e njëjtë të rregullave për të gjithë operatorët ekonomikë.