Musliu akuzon VV-në dhe LDK-në për përdorimin e emrit të Thaçit: Është qyqarllëk, më pak politikë mbi kurrizin e një njeriu që sot po përballet me një betejë në Hagë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe disa zëra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përfshirë presidenten Vjosa Osmani, duke i akuzuar se po e përdorin emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për qëllime politike. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Musliu ka thënë se kjo po…
Lajme
Reagimi i plotë:
Në këtë fazë kritike të përballjes së Hashim Thaçit me drejtësinë në Hagë, VV-ja, eksponentë të saj dhe edhe zëra nga LDK-ja, përfshirë Vjosa Osmanin, po e nxjerrin sërish në skenë emrin e Hashim Thaçit.
Çfarë cinizmi politik!
Kur një njeri përballet me një proces gjyqësor ndërkombëtar për Kosovën dhe vendi duhet të tregojë seriozitet, maturi dhe dinjitet, këta zgjedhin ta përdorin emrin e tij si armë të luftës së tyre politike.
Hashim Thaçi nuk është më në Prishtinë që të mund t’u përgjigjet sulmeve politike. Ai është në Hagë, duke u përballur me një proces të rëndë për Kosovën, dhe pikërisht tani disa politikanë po kujtohen të merren me të.
Ky veprim nuk është guxim politik.
Është frikë politike dhe mungesë lidershipi.
Është qyqarllëk.
Për vite me radhë e kanë përdorur Thaçin si gogol për të mbledhur vota. Sot, kur ai ndodhet në Hagë, vazhdojnë ta përdorin emrin e tij për të mbuluar dështimet, paaftësinë dhe krizën e tyre politike.
Por ta kenë të qartë:
Hashim Thaçi nuk mund të jetë mburoja e përhershme e dështimeve të tyre.
Historia do t’i vlersoj të gjithë ata që luftuan për Kosovën, ata që e ndërtuan shtetin dhe do ti gjykoj ata që sot përpiqen ta ndërtojnë karrierën e tyre politike duke goditur ata që nuk janë në gjendje t’u përgjigjen.
Pak më shumë dinjitet. Pak më shumë lidership. Dhe shumë më pak politikë mbi kurrizin e një njeriu që sot po përballet me një betejë në Hagë./lajmi.net/