Kush do ta përfaqësojë Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së?

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të hapë punimet e sesionit të 81-të më 8 shtator. Përfaqësues politikë nga të gjithë bota do të mblidhen në Nju Jork, ku mes tyre pritet të ketë edhe nga Kosova. Nga Qeveria e Kosovës nuk treguan për KosovaPress nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të…

Lajme

03/09/2026 17:09

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të hapë punimet e sesionit të 81-të më 8 shtator. Përfaqësues politikë nga të gjithë bota do të mblidhen në Nju Jork, ku mes tyre pritet të ketë edhe nga Kosova.

Nga Qeveria e Kosovës nuk treguan për KosovaPress nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të udhëtojë në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën.

Megjithatë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë nevojën që Kosova të përfaqësohet nga institucione të formuara dhe me mandat të plotë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se për Kosovën është veçanërisht e rëndësishme të ketë përfaqësues me legjitimitet të plotë, duke pasur parasysh edhe faktin se vendi nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, porse takimet mund të mbahen në margjina të Asamblesë.

Sipas tij, përfaqësimi nga ushtrues detyre i institucioneve kryesore, mund ta dobësojë pozitën e Kosovës në takimet ndërkombëtare.

Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Kjo situatë, sipas ish-diplomatit Blerim Canaj, mund të paraqesë problem edhe për mënyrën se si vendi përfaqësohet në arenën ndërkombëtare.

Canaj vlerëson se përfaqësimi i Kosovës në një forum si Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nga persona që ushtrojnë detyrën dhe në mungesë të një Kuvendi funksional, e dobëson legjitimitetin institucional të vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në të njëjtën cilësi kishte udhëtuar edhe vitin e kaluar në SHBA, ku kishte zhvilluar një sërë takimesh bilaterale në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.