Rexhepi zbulon çfarë u diskutua me Kurtin: Seanca konstituive së shpejti, për Presidentin duhet biseduar me AAK-në
Kryetarja e NDS-së, Emilja Rexhepi, ka dhënë detaje nga takimi i mbrëmshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë u informuan për zhvillimet rreth marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Rexhepi në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se takimi ishte miqësor dhe se Kurti…
Lajme
Kryetarja e NDS-së, Emilja Rexhepi, ka dhënë detaje nga takimi i mbrëmshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë u informuan për zhvillimet rreth marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Rexhepi në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se takimi ishte miqësor dhe se Kurti i kishte informuar përfaqësuesit e komuniteteve për procesin e marrëveshjes dhe propozimin për Bekim Sejdiun si kandidat të përbashkët për president.
Përveç çështjes së zgjedhjes së presidentit, në takimin me Kurtin është diskutuar edhe për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, ka bërë të ditur Rexhepi.
Sipas saj, një nga hapat që duhet të ndërmerret sa më shpejt është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të mund të vazhdojë procesi i konstituimit të institucioneve.
“Po ashtu, sa më shpejt është votimi për kryetar të Parlamentit. Seanca konstituive pritet të thirret shumë shpejt”, ka thënë Rexhepi.
Megjithatë, sipas saj situata rreth presidentit është komplikuar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun.
“Patëm një darkë miqësore me Kryeministrin, të gjithë ne nga radhët e komuniteteve joshumicë, ku ai na informoi për procesin e marrëveshjes ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së rreth propozimit për një kandidat të përbashkët për President të shtetit”, ka deklaruar Rexhepi për Telegrafin.
Ajo ka vlerësuar se, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, mbështetja e komuniteteve nuk është e mjaftueshme për të siguruar zgjedhjen e presidentit.
“Situata është bërë më e vështirë pas ndarjes së 6 deputetëve të LDK-së, të cilët janë kundër. Prandaj, edhe përkundër mbështetjes sonë të përbashkët, mendoj se është e pamundur të zgjidhet Presidenti pa mbështetjen e përfaqësuesve të tjerë politikë të partive shqiptare”, ka thënë ajo.
Rexhepi ka përmendur në mënyrë të veçantë AAK-në si subjekt me të cilin, sipas saj, duhet të zhvillohen bisedime për të gjetur një zgjidhje.
“Sipas mendimit tim, duhet të bisedohet me AAK-në rreth zgjedhjes së Presidentit. Mendoj se ata janë të gatshëm të votojnë”, është shprehur Rexhepi.
Ajo ka paralajmëruar se, në mungesë të një kompromisi politik, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, skenar që, sipas saj, nuk do t’i konvenonte asnjërit prej subjekteve politike.
“Në të kundërtën, shkojmë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, që nuk i konvenon askujt”, ka deklaruar kryetarja e NDS-së.
Takimi i Kurtit me përfaqësuesit e komuniteteve u zhvillua pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër kandidaturës së Sejdiut.
Kurti ka deklaruar se, pavarësisht këtij zhvillimi, aktualisht llogariten 74 vota për kandidatin për president, ndërsa ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja.