Studentët para Zyrës së BE-së kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së: Drejtësi pa ndikime politike
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike në Kosovë, përfshirë studentët me prejardhje nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton KosovaPress, Në aktivitetin e mbajtur para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, studentët kërkuan lirimin e…
Lajme
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike në Kosovë, përfshirë studentët me prejardhje nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton KosovaPress,
Në aktivitetin e mbajtur para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, studentët kërkuan lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Ata përmes një deklarate të përbashkët drejtuar përfaqësuesvë të BE-së, kanë kërkuar që vendimi për ish-krerët e UÇK-së të merret pa ndikime politike.
Endi Binaku, përfaqësues i studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, tha se studentët nuk do të lejojnë që lufta për lirinë e Kosovës të paraqitet në një narrativë kriminalizuese.
“Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të lejojmë që lufta për lirinë e Kosovës të reduktohet në një narrativë kriminalizuese dhe historia jonë të rishkruhet. Ne jemi gjenerata që e ka trashëguar këtë liri dhe do ta mbrojmë me çdo kusht të vërtetën tonë. Drejtësia juaj duhet të ketë një standard për Kosovën dhe duhet të ketë të njëjtin për Serbinë. Si gjeneratë e re e Kosovës, kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet dhe shqetësimet tona të merren seriozisht. Kërkojmë drejtësi dhe standarde që vlejnë njësoj për të gjithë dhe një Evropë që e trajton Kosovën me të njëjtin standard që kërkon nga ne”, tha Binaku.
Riad Bislimaj nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren tha se studentët e ndjejnë si përgjegjësi që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj këtij procesi.
“Ne jemi një gjeneratë që e kemi trashëguar Kosovën e lirë. Shumë prej nesh nuk i kemi përjetuar drejtpërdrejt ditët e luftës, por e dimë se liria që gëzojmë sot nuk ka ardhur vetvetiu. Prandaj, kur historia dhe njerëzit që kanë qenë pjesë e saj vazhdojnë të jenë në qendër të një procesi gjyqësor ndërkombëtar, ne e ndjejmë si përgjegjësi që të mos qëndrojmë indiferentë”, tha Bislimaj.
Ndërsa Florian Thaçi nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë tha se studentët shprehin indinjatën e tyre për kohëzgjatjen e këtij procesi gjyqësor.
“Prandaj sot e shprehim qartë indinjatën tonë ndaj një procesi kaq të gjatë dhe kërkojmë lirimin e krerëve të UÇK-së. Me 16 shtator presim që shtetndërtuesit tanë të lirohen dhe të kthehen në Kosovë pranë familjeve dhe popullit të tyre”, shtoi Thaçi.
Studentët kanë potencuar se drejtësia duhet të jetë e barabartë dhe e drejtë për të gjithë, duke kërkuar që procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përfundojë pa ndikime politike.