Zgjerohet hetimi për dyshimet për keqpërdorime në BKS, numri i të pandehurve arrin në 69

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke përfshirë edhe 21 punëtorë të tjerë të këtij institucioni. Me zgjerimin e hetimeve, numri i personave të përfshirë në procedurë ka arritur në 69. Punëtorët e rinj dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”,…

Lajme

02/09/2026 08:30

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke përfshirë edhe 21 punëtorë të tjerë të këtij institucioni.

Me zgjerimin e hetimeve, numri i personave të përfshirë në procedurë ka arritur në 69. Punëtorët e rinj dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”, transmeton lajmi.net.

Sipas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria, personat nën hetim kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në transferimin dhe përfitimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në shuma që variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person.

Nga këto veprime, sipas Prokurorisë, BKS-së i është shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh, ndërsa dëmi i përgjithshëm i dyshuar deri më tani vlerësohet në rreth 1.24 milion euro.

Në kuadër të hetimit paralel financiar, autoritetet kanë vendosur masa ndaj pasurisë që dyshohet se lidhet me rastin. Janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe, të cilat lidhen me tre nga të pandehurit kryesorë.

Personat e dyshuar janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, në koordinim me përfaqësues të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Hetimi penal është zhvilluar paralelisht me atë financiar, në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiare të Policisë së Kosovës. Qëllimi i këtij procesi ka qenë identifikimi dhe gjurmimi i pasurisë që dyshohet se është krijuar ose përfituar përmes veprimeve të kundërligjshme.

Po ashtu, gjatë së martës është urdhëruar ngrirja e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar, në kuadër të masave të ndërmarra për sigurimin e pasurisë që mund të lidhet me rastin.

Hetimet për këtë çështje janë duke vazhduar, ndërsa Prokuroria pritet të ndërmarrë veprime të tjera varësisht nga rezultatet e procedurës hetimore./lajmi.net/