Mbi 2.1 milionë euro të bllokuara nga Serbia, Kurti kërkon zhbllokimin e mjeteve për shqiptarët në Luginë të ndara nga Qeveria e Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Qeverinë e Kosovës përfaqësues të organizatave joqeveritare, mediave, kulturës, arsimit, artit, sportit dhe studentëve nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri. Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, deputeti Shaip Kamberi dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Qeverinë e Kosovës përfaqësues të organizatave joqeveritare, mediave, kulturës, arsimit, artit, sportit dhe studentëve nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, deputeti Shaip Kamberi dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, transmeton lajmi.net.
Kurti ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët në këto treva, duke përfshirë, sipas tij, diskriminimin institucional dhe pengesat në fusha të ndryshme.
Një prej çështjeve kryesore të ngritura nga Kurti ishte edhe bllokimi nga institucionet e Serbisë, i dy transfereve financiare të ndara nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët në këto treva.
Bëhet fjalë për 304,511.16 euro, të ndara në janar të vitit 2026, dhe 1,837,511.16 euro, të ndara në prill të këtij viti. Në total, shuma e transfereve të bllokuara arrin në rreth 2.14 milionë euro.
Sipas Kurtit, këto mjete janë të destinuara për 136 projekte në fusha si arsimi, kultura, arti, sporti, përdorimi i gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, mediat, si dhe për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Përmes këtyre mjeteve, sipas kryeministrit në detyrë, parashihet edhe mbështetja për 61 familje të nxënësve që kanë humbur njërin ose të dy prindërit, programet për libra falas, praktika profesionale dhe mbarëvajtjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Kurti ka deklaruar se mbështetja financiare për këto fusha është dhënë prej vitesh përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, të cilin e ka cilësuar si institucion përfaqësues të shqiptarëve, në përputhje edhe me legjislacionin e Serbisë.
“Kjo mbështetje nuk është as e fshehtë, as e paqartë dhe është komplet transparente”, ka shkruar Kurti.
Ai ka argumentuar se bllokimi i mjeteve nuk mund të trajtohet vetëm si çështje teknike.
“Kur bllokohen mjetet për libra, pasojën e ndien nxënësi. Kur bllokohet mbështetja për kulturën, dobësohet identiteti. Kur bllokohet media në gjuhën shqipe, zvogëlohet hapësira publike e shqipes”, ka deklaruar Kurti.
Në takim, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë ngritur shqetësime edhe për atë që Kurti e përshkroi si nën-përfaqësim në institucione, pengesa në punësim, mosnjohje të diplomave të Kosovës, vështirësi në përdorimin e gjuhës shqipe dhe pasivizim të adresave të shqiptarëve në këto zona.
Kurti e ka cilësuar pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak si çështje që lidhet me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë e Serbisë si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët në këto treva, si dhe avokimin ndërkombëtar për të drejtat e tyre.
Në fund, Kurti ka kërkuar që mjetet e ndara të zhbllokohen dhe të transferohen në llogarinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa projektet e aprovuara të realizohen.
“Projektet e aprovuara duhet të realizohen, sikur edhe diskriminimi nuk duhet të normalizohet”, ka përfunduar Kurti./lajmi.net/