Driton Selmanaj i shpëton shkarkimit, s’kalon nisma për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm në degën e LDK-së në Prizren
Nisma për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren, për të kërkuar shkarkimin e kryetarit Driton Selmanaj, nuk ka kaluar. Sipas raportimit të Gazeta Blic, kërkesa ishte dorëzuar më 21 gusht dhe fillimisht kishte 37 nënshkrime të delegatëve. Megjithatë, Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren përbëhet nga 96 delegatë dhe…
Lajme
Nisma për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren, për të kërkuar shkarkimin e kryetarit Driton Selmanaj, nuk ka kaluar.
Sipas raportimit të Gazeta Blic, kërkesa ishte dorëzuar më 21 gusht dhe fillimisht kishte 37 nënshkrime të delegatëve. Megjithatë, Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren përbëhet nga 96 delegatë dhe statuti kërkon mbështetjen e së paku një të tretës së tyre, përkatësisht 32 nënshkrime, për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, transmeton lajmi.net.
Në dokument thuhet se disa prej delegatëve që kishin nënshkruar kërkesën më pas kërkuan të tërhiqeshin nga iniciativa.
“Disa nga delegatët nënshkrues, kanë kërkuar menjëherë tërheqjen e nënshkrimeve të tyre nga lista, me pretendimet se në momentin kur kanë vendosur nënshkrimin e tyre janë vu në lajthitje apo janë ndjerë të mashtruar nga nismëtari i kësaj nisme, ku nuk i ka njoftuar qartë për qëllimin e kësaj iniciative”, thuhet në dokument.
Sipas të njëjtit dokument, deri më 28 gusht në administratën e Degës janë dorëzuar tetë deklarata me shkrim për tërheqjen e nënshkrimeve.
Në arsyetimin e Komisionit thuhet gjithashtu se lista fillestare e nënshkruesve nuk përmbante numrat personalë të delegatëve.
Pas tërheqjes së tetë nënshkrimeve, numri i mbështetësve të kërkesës ka rënë nën pragun e përcaktuar me statut. Për këtë arsye, Komisioni ka rekomanduar që kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të konsiderohet e papranueshme./lajmi.net/