Vrasjet e grave në Kosovë, çfarë mund të bëjnë institucionet para se të jetë vonë?

Kur një burrë vret gruan me të cilën ka ndarë jetën, kërkimi për një shpjegim shpesh nis te vetë ai. A ishte i dhunshëm? A kishte probleme të shëndetit mendor? A kishte kërcënuar më parë? A kishte diçka në sjelljen e tij që mund të paralajmëronte atë që do të ndodhte? Martin Hernan Di Marco…

Lajme

28/08/2026 13:20

Kur një burrë vret gruan me të cilën ka ndarë jetën, kërkimi për një shpjegim shpesh nis te vetë ai.

A ishte i dhunshëm? A kishte probleme të shëndetit mendor? A kishte kërcënuar më parë? A kishte diçka në sjelljen e tij që mund të paralajmëronte atë që do të ndodhte?

Martin Hernan Di Marco është përpjekur t’u përgjigjet këtyre pyetjeve duke intervistuar pikërisht burra që kanë vrarë partneret e tyre.

Një prej gjetjeve që e ka befasuar më së shumti, është se sa pak përputhen ata me përfytyrimin e një vrasësi që mund të dallohet lehtë nga të tjerët.

“Ajo që më ka bërë më së shumti përshtypje është se sa të zakonshëm janë shumë prej këtyre burrave”, thotë Di Marco, profesor në Universitetin Leiden të Holandës, për Radion Evropa e Lirë.

Në një studim të vitit 2024, ai dhe kolegët e tij analizuan 205 burra të burgosur në Buenos Aires: 68 të dënuar për ndaj partneres, 73 për vrasje dhe 64 për krime të tjera të dhunshme.

Studimi nuk gjeti dallime domethënëse mes tri grupeve sa i përket psikopatisë.

Autorët e femicidit raportuan më shumë shqetësim psikologjik dhe më shumë histori trajtimi për probleme të shëndetit mendor apo përdorim substancash, por rezultatet nuk mbështetën idenë e një profili të veçantë psikopatologjik që do t’i identifikonte ata.

“Nuk kam gjetur që autorët t’i përshtaten një profili të vetëm, të identifikueshëm”, thotë Di Marco.

Ajo që duket se i dallon, sipas tij, është më shumë mënyra se si përballen me stresin, konfliktin dhe refuzimin.

Në Kosovë, katër gra janë vrarë deri më tash këtë vit.

Dy prej tyre – një 25-vjeçare shtatzënë dhe një 80-vjeçare – vetëm këtë javë.

Për të dyja vrasjet dyshohen bashkëshortët e viktimave – njëri 26 dhe tjetri 81 vjeç. I pari dyshohet se e vrau gruan me armë zjarri, ndërsa i dyti duke përdorur forcë fizike.

Nëse nuk ekziston një profil i burrit që vret partneren, a mund të dallohet rreziku përmes sjelljes së tij?

Shenjat mund të jenë aty shumë më herët

Për Jacquelyn Campbellin, profesoreshë në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, përgjigjja është te modelet e sjelljes dhe faktorët konkretë të rrezikut.

Campbell ka kaluar dekada duke studiuar vrasjet nga partneri intim dhe ka zhvilluar “Danger Assessment – një instrument për vlerësimin e rrezikut që dhuna ndaj një gruaje të përshkallëzohet në dhunë vdekjeprurëse.

Sipas saj, rreth 70 për qind e burrave që vrasin partneret, kanë ushtruar dhunë ndaj tyre edhe më parë.

Por, kjo nuk do të thotë se policia ka qenë në dijeni.

Në hulumtimet e Campbellit, historia e dhunës është rindërtuar edhe përmes njerëzve të cilëve viktimat u janë rrëfyer para vrasjes – jo vetëm përmes raporteve policore, arrestimeve apo urdhrave mbrojtës.

“Mungesa e raportimeve në polici, e kërkesave për urdhra mbrojtës apo e raportimeve tek autoritetet nuk do të thotë se nuk ka pasur dhunë nga partneri intim”, thotë Campbell për Radion Evropa e Lirë.

Dhe ajo që i paraprin dhunës së rëndë, nuk është domosdoshmërisht fizike.

Di Marco përmend kontrollimin e telefonit, mbikëqyrjen e lëvizjeve të partneres, kufizimin e kontakteve me miqtë dhe familjen, kontrollin e financave dhe përcaktimin se me kë mund të takohet apo si duhet të vishet.

Këto sjellje përfshihen në atë që njihet si “kontroll detyrues” – një model përmes të cilit një partner përpiqet të kufizojë autonominë e tjetrit.

Pjesë e tij mund të jetë edhe përndjekja, qoftë fizike apo përmes telefonatave, mesazheve dhe monitorimit të vazhdueshëm.

“Dhuna fizike është ajo që zakonisht dokumentohet dhe ndiqet penalisht, por shpesh është hallka e fundit e një zinxhiri shumë më të gjatë”, thotë Di Marco.

Problemi, sipas tij, është se sjellje të tilla mund të minimizohen si “xhelozi” apo “posesivitet” nga vetë autorët, njerëzit përreth dhe ndonjëherë edhe nga institucionet.

Kur rreziku rritet

Asnjë sjellje e vetme nuk mund të tregojë me siguri se një burrë do ta vrasë partneren. Por, studimet kanë identifikuar faktorë që shfaqen dukshëm më shpesh në rastet kur dhuna përfundon me vrasje.

Në një nga studimet kryesore të Campbellit dhe kolegëve të saj, rastet e 220 grave të vrara nga partnerët u krahasuan me ato të 343 grave që kishin përjetuar dhunë nga partnerët, por nuk ishin vrarë.

Një nga faktorët më të fortë ishte qasja e autorit në armë.

Kur partneri kishte qasje në armë, gjasat që dhuna të përfundonte me vrasjen e gruas, ishin mbi pesë herë më të larta.

Edhe kërcënimet e mëparshme me armë dhe kërcënimet për vrasje lidheshin me gjasa dukshëm më të larta për femicid.

Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte ndarja.

Studimi tregoi se gratë që ishin ndarë nga partneri pas një periudhe bashkëjetese, kishin gjasa më të larta të vriteshin sesa gratë që vazhdonin të jetonin me partnerin abuzues.

Rreziku ishte veçanërisht i lartë kur ndarja ndodhte nga një partner që kishte ushtruar kontroll të madh mbi gruan.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Campbell veçon sidomos një kombinim faktorësh: gruaja ishte larguar nga partneri, ai kishte armë dhe më parë e kishte kërcënuar se do ta vriste.

Kjo nuk do të thotë se ndarja shkakton dhunën. Por, kur dhuna dhe kontrolli tashmë janë të pranishme, periudha kur gruaja përpiqet të largohet, mund të jetë veçanërisht e rrezikshme.

Campbell veçon edhe kërcënimet e autorit se do të vrasë veten.

Sipas saj, në Shtetet e Bashkuara, së paku 30 për qind e burrave që vrasin partneret, më pas kryejnë edhe vetëvrasje.

Në hulumtimin e saj, burrat që përfunduan duke vrarë partneren dhe veten, kishin më shumë gjasa të kishin kërcënuar më parë me vetëvrasje.

Kur dhuna shihet si mënyrë për të “rivendosur” autoritetin

Intervistat e Di Marcos me burra që kanë vrarë partneret nxjerrin në pah edhe mënyrën se si ata vetë e shpjegojnë dhunën.

Shumë prej tyre nuk e përshkruajnë atë si një shpërthim apo humbje kontrolli. Përkundrazi, flasin për ndjesinë se u ishte cenuar diçka që besonin se u takonte brenda marrëdhënies.

“Respekti, besnikëria, autoriteti…”, thotë Di Marco.

Në këtë kontekst, dhuna paraqitet si përgjigje ndaj asaj që ata e perceptojnë si cenim apo padrejtësi ndaj tyre – qoftë konflikti, refuzimi apo vendimi i partneres për t’u larguar.

“Ky kalim – nga ‘humbja e kontrollit’ te ‘korrigjimi i një padrejtësie të perceptuar’ – është një nga gjetjet më të qëndrueshme dhe më sfiduese në intervistat e mia”, thotë Di Marco.

Për të, kjo nuk mund të ndahet plotësisht nga mënyra se si shoqëria flet për marrëdhëniet dhe maskulinitetin.

“Për shumicën e këtyre burrave dhe, në përgjithësi, për shumë njerëz, dhuna funksionon si një burim: një mënyrë për të kompensuar ose ‘korrigjuar’ diçka që ata e perceptojnë si një padrejtësi që u është bërë”, shton Di Marco.

Një vrasje çdo dhjetë minuta

Përmasat e problemit të femicidit janë globale.

Raporti më i fundit i UN Women dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, UNODC, vlerëson se afro 50.000 gra dhe vajza u vranë nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2024.

Kjo është mesatarisht 137 gra dhe vajza në ditë, apo afërsisht një në çdo dhjetë minuta.

Nga rreth 83.000 gra dhe vajza të vrara qëllimisht atë vit, 60 për qind u vranë nga partneri ose një familjar.

Për viktimat burra, vetëm 11 për qind e vrasjeve u kryen nga partnerët apo familjarët.

Të vlerësosh rrezikun, jo të parashikosh vrasjen

Njohja e këtyre faktorëve nuk do të thotë se mund të parashikohet se cili burrë do ta vrasë partneren.

Por, mund të ndihmojë për të dalluar rastet në të cilat një grua përballet me rrezik më të lartë.

Pikërisht mbi këtë parim është ndërtuar edhe “Danger Assessment” i Campbellit.

Instrumenti përmban 20 pyetje për faktorë të tillë si përshkallëzimi i dhunës, kërcënimet për vrasje, qasja në armë, përndjekja, xhelozia e dhunshme, tentativat për mbytje, kërcënimet për vetëvrasje dhe largimi nga partneri pas bashkëjetesës.

Instrumenti nuk synon të përcaktojë nëse një burrë do të kryejë vrasje, por të vlerësojë nivelin e rrezikut për një grua që tashmë përjeton dhunë nga partneri.

Vlefshmëria e tij është testuar edhe me raste të grave që u kanë mbijetuar tentativave për femicid.

Studiuesit arritën në përfundimin se instrumenti mund të identifikojë shumicën e grave që përballen me rrezik të shtuar për t’u vrarë ose për t’iu nënshtruar një tentative për vrasje.

Vlerësimi i rrezikut është sot pjesë edhe e rekomandimeve të Institutit Evropian për Barazi Gjinore, EIGE, për policinë.

Ai rekomandon që institucionet të mos shohin vetëm incidentin e fundit të dhunës, por të marrin parasysh historinë dhe modelin e sjelljes së autorit: kontrollin, kërcënimet, përndjekjen, qasjen në armë, përshkallëzimin e dhunës dhe ndarjen.

EIGE kërkon që në vlerësim të merret parasysh edhe vetë perceptimi i gruas për rrezikun që i kanoset.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Policinë e Kosovës se si bëhet vlerësimi i rrezikut në rastet e dhunës në familje, cilët faktorë merren parasysh dhe çfarë masash ndërmerren kur vlerësohet se një grua përballet me rrezik të lartë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Për studiuesit, pikërisht vlerërsimi i tillë i rrezikut u jep institucioneve mundësinë të ndërhyjnë përpara se të jetë vonë.

“… sepse, ekziston një prirje e fortë shoqërore për t’i përfytyruar autorët si individë monstruozë, krejtësisht të ndryshëm nga të tjerët. Por, burrat që kam intervistuar, në shumicën e aspekteve të dukshme, janë njerëz të zakonshëm. Kjo është shqetësuese, sepse nënkupton se kushtet që prodhojnë këtë lloj dhune, janë të përhapura, e jo të jashtëzakonshme”, përfundon Di Marco./Radio Evropa e Lirë/