PDK i dërgon letër Avni Deharit, kërkon vazhdimin e seancës konstituive nesër në ora 11:00
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i janë drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, me kërkesë që vazhdimi i seancës të mbahet të premten, më 28 gusht, në orën 11:00. Kërkesa është nënshkruar nga deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka argumentuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin…
Lajme
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i janë drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, me kërkesë që vazhdimi i seancës të mbahet të premten, më 28 gusht, në orën 11:00.
Kërkesa është nënshkruar nga deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka argumentuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe procedurale, transmeton lajmi.net.
Sipas PDK-së, zvarritja e konstituimit të Kuvendit paraqet një situatë serioze, të cilën kjo parti e lidh me mosrespektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në dokumentin drejtuar Deharit, Çitaku ka theksuar se kryesuesi i seancës duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në kërkesë.
PDK ka kërkuar që procesi të mos zvarritet më tej dhe që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre kushtetues.
Në këtë kuadër, partia opozitare kërkon që seanca konstituive të vazhdojë më 28 gusht, në orën 11:00, me qëllim të avancimit të procesit për konstituimin e Kuvendit./lajmi.net/