Më 28 gusht vendimi për Glauk Konjufcën në rastin e gazit lotsjellës
Shpallja e aktgjykimit lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend me të cilin ngarkohet Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca me 28 gusht në ora 13:00. Kështu ka bërë të ditur gjyqtarja e rastit Edita Çanta. Prokurori Dardan Celaj ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri Glauk…
Lajme
Shpallja e aktgjykimit lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend me të cilin ngarkohet Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca me 28 gusht në ora 13:00.
Kështu ka bërë të ditur gjyqtarja e rastit Edita Çanta.
Prokurori Dardan Celaj ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri Glauk Konjufca të shpallet fajtor dhe të dënohet për veprën penale për të cilën akuzohet, ndërsa mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues.
Në fjalën përfundimtare në seancën e rigjykimit, Celaj ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se më 10 gusht 2016, në sallën e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ishte hedhur gaz lotsjellës dhe se në sallë kishte qenë edhe i pandehuri Konjufca.
Sipas prokurorit, këtë e dëshmojnë deklaratat e dëshmitarëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Slobodan Petroviq dhe Valdete Bajrami.
Ai ka thënë se vendi ku pretendohet se është kryer vepra penale dhe bombola e gazit janë evidentuar edhe në albumin fotografik të datës 10 gusht 2016, ndërsa sipas raportit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, bombola e zbrazët ishte gjetur pranë karriges ku kishte qenë i ulur i pandehuri.
Sipas tij, veprimet e të pandehurit në ditën kritike dëshmojnë fajësinë dhe përgjegjësinë e tij penale.
Ndërkaq, avokatja mbrojtëse Arbnore Zeqiri ka kërkuar aktgjykim lirues, duke thënë se nuk është provuar se Konjufca e ka hedhur gazin lotsjellës.
Sipas saj, fakti që bombola ishte gjetur pranë karriges së Konjufcës nuk dëshmon se ishte ai që e kishte përdorur. Ajo ka argumentuar se as dëshmitarët dhe as provat materiale nuk e kanë vërtetuar drejtpërdrejt kryerjen e veprës penale nga i mbrojturi i saj.
Mbrojtja ka kërkuar që çdo dyshim lidhur me ekzistimin e fakteve apo zbatimin e ligjit penal të interpretohet në favor të të pandehurit.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më datë 28 gusht, ora 13:00.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.