KEK i reagon Sindikatës: Të pavërteta pretendimet se mungojnë shumica e pajisjeve mbrojtëse
Korporata Energjetike e Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet e Sindikatës së Re të KEK’ut, se në KEK mungojnë shumica e pajisjeve mbrojtëse. Në postim thuhet edhe se, menaxhmenti i ka kërkuar Sindikatës së Re të KEK’ut që, t’i identifikojë konkretisht pretendimet për mangësi rreth kësaj çështjeje. ‘’ Për më tepër, sindikatave u është bërë ftesë…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet e Sindikatës së Re të KEK’ut, se në KEK mungojnë shumica e pajisjeve mbrojtëse.
Në postim thuhet edhe se, menaxhmenti i ka kërkuar Sindikatës së Re të KEK’ut që, t’i identifikojë konkretisht pretendimet për mangësi rreth kësaj çështjeje.
‘’ Për më tepër, sindikatave u është bërë ftesë për përfshirje të drejtpërdrejtë në Task-Force për rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Prandaj, çdo shqetësim real duhet të paraqitet konkretisht dhe të trajtohet bashkërisht, jo të zëvendësohet me deklarime publike të pavërteta’’, thuhet mes tjerash në reagim.
Postimi:
KEK: Deklarimet e pavërteta nuk i shërbejnë sigurisë së punonjësve
Pavarësisht fakteve dhe sqarimeve të prezantuara nga Bordi dhe Menaxhmenti, SR-KEK ka vazhduar me deklarime publike që nuk janë të vërteta dhe bien ndesh me gjendjen faktike. Konkretisht, pretendimi se në KEK mungojnë shumica e pajisjeve mbrojtëse është i pavërtetë. Aktualisht janë në fuqi katër kontrata kornizë për furnizim me pajisje mbrojtëse në punë, ndërsa çështje e veçantë mbetet furnizimi me këpucë mbrojtëse, për të cilin procedura e prokurimit nuk ka përfunduar me sukses.
Menaxhmenti i ka kërkuar SR-KEK-ut që, nëse pretendon se ekzistojnë mangësi, t’i identifikojë konkretisht dhe t’i mbështesë me fakte, ndërsa nga KEK Sh.A. i është ofruar bashkëpunim dhe transparencë e plotë për adresimin dhe zgjidhjen e përbashkët të çdo çështjeje. Për më tepër, sindikatave u është bërë ftesë për përfshirje të drejtpërdrejtë në Task-Force për rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Prandaj, çdo shqetësim real duhet të paraqitet konkretisht dhe të trajtohet bashkërisht, jo të zëvendësohet me deklarime publike të pavërteta.
Veçanërisht të papërgjegjshme janë deklarimet që përcaktojnë publikisht shkaqe apo përgjegjësi për aksidentet, ndërkohë që hetimet janë ende duke u zhvilluar nga organet kompetente. Askush nuk mund t’i paraqesë si fakte përfundime që ende nuk janë përcaktuar nga hetimi. Në një moment kaq të rëndë, askush, përfshirë përfaqësuesit sindikalë, nuk duhet të luajë me dhimbjen dhe ndjenjat e familjeve të prekura, e aq më pak t’i instrumentalizojë tragjeditë për interesa apo agjenda të tjera. Familjet meritojnë respekt, të vërtetën dhe zbardhjen e plotë të rasteve – jo spekulime.
Siguria e punonjësve dhe tragjeditë që kanë prekur familjet e tyre janë çështje tepër serioze për t’u përdorur për pretendime të pavërteta apo interesa të çfarëdo natyre. KEK-u po i trajton këto çështje me përgjegjësi, transparencë dhe në përputhje të plotë me faktet. Prandaj, nuk do të tolerohet dezinformimi apo krijimi i perceptimeve të pabazuara që kanë tendencë të shtrembërojnë realitetin.
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS