Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit përmend Albin Kurtin: Prokuroria thotë se Serbia kishte plan për rekrutimin e tij
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh dhe shantazh, përmban edhe një referencë për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Megjithatë, Kurti nuk është pjesë e hetimit ndaj Shehollit dhe përmendja e tij në aktakuzë lidhet me një dokument të vitit 2001, i cili, sipas Prokurorisë, përshkruan një plan të strukturave…
Lajme
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh dhe shantazh, përmban edhe një referencë për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Megjithatë, Kurti nuk është pjesë e hetimit ndaj Shehollit dhe përmendja e tij në aktakuzë lidhet me një dokument të vitit 2001, i cili, sipas Prokurorisë, përshkruan një plan të strukturave të atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB), transmeton lajmi.net.
Në faqen 58 të aktakuzës, Prokuroria i referohet një dokumenti të emërtuar “Leptiri”, i cili ishte gjetur në telefonin e Shehollit. Sipas aktakuzës, dokumenti përshkruan një operacion për komprometimin dhe rekrutimin e Kurtit gjatë kohës kur ai po vuante dënimin në burgjet serbe.
“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar ‘Leptiri’, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, në këtë plan parashihej përdorimi i një burimi operacional me nofkën “Leptiri”, i cili do të siguronte materiale komprometuese me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj Kurtit për bashkëpunim me RDB-në.
Pra, referenca ndaj Kurtit në aktakuzë nuk paraqet një akuzë ndaj tij, por lidhet me një dokument të vitit 2001 dhe me pretendimin për një plan të strukturave serbe për rekrutimin e tij. Në dokument përdoren edhe termat “komprometim” dhe “diskreditim”.
Çfarë thuhet për Shehollin?
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, Fatmir Sheholli ngarkohet me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Prokuroria pretendon se ai, deri më 9 tetor 2025, kishte vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, BIA.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se i ka mbledhur dhe përcjellë zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimiç, informacione që lidhen me aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Sheholli kishte zbatuar një plan operacional të përgatitur nga zyrtari serb, me synim dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndikimin në procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025.
Një prej episodeve të përshkruara në aktakuzë lidhet me 26 shtatorin, kur Sheholli, sipas Prokurorisë, kishte udhëtuar drejt Mitrovicës së Veriut dhe kishte pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të lartë.
Sipas pretendimit të Prokurorisë, këto materiale synonin komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Në të njëjtin rast, Sheholli dyshohet se kishte marrë edhe 5 mijë euro nga zyrtari i BIA-s.
Aktakuza pretendon se më pas materialet i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro dhe udhëzime për publikimin e tyre në emisionin e tij, pak ditë para zgjedhjeve lokale.
Prokuroria e interpreton këtë veprim si pjesë të një përpjekjeje për ndërhyrje të një shërbimi të huaj informativ në procesin zgjedhor, duke theksuar në aktakuzë se me këto veprime Sheholli “ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor”./lajmi.net/