Aksion për kontrollin e peshës së bukës në furrat e Kosovës, bizneset rrezikojnë gjoba deri në 10 mijë euro

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për kontrollin e peshës së bukës dhe verifikimin e peshoreve që përdoren në furrat e Kosovës. Inspektimet kanë nisur në rajonin e Prishtinës, ndërsa në ditët në vijim do të shtrihen edhe në komunat e tjera…

Lajme

25/08/2026 15:46

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për kontrollin e peshës së bukës dhe verifikimin e peshoreve që përdoren në furrat e Kosovës.

Inspektimet kanë nisur në rajonin e Prishtinës, ndërsa në ditët në vijim do të shtrihen edhe në komunat e tjera të vendit. Aksioni vjen pas ankesave të vazhdueshme të konsumatorëve për mospërputhje mes peshës së deklaruar të bukës dhe peshës reale të produktit, transmeton lajmi.net.

Gjatë kontrolleve, zyrtarët e AMK-së po verifikojnë rregullsinë dhe afatin e vlefshmërisë së peshoreve, ndërsa po kontrollohet edhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja mes masës së deklaruar dhe masës reale të produktit konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit dhe mund të ndëshkohet me gjobë prej 1,000 deri në 10,000 euro.

Ndërkaq, për përdorimin e peshoreve ose mjeteve të tjera matëse të parregullta, subjektet juridike mund të gjobiten me 500 deri në 1,500 euro, bazuar në legjislacionin në fuqi për metrologjinë.

AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që të verifikojnë me kohë peshoret, të sigurojnë matje të sakta dhe të respektojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.

Aksioni do të vazhdojë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim garantimin e saktësisë së matjeve dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Postimi i plotë: 

AMK dhe IQMT nisin aksionin e mbikëqyrjes së peshës së bukës dhe vlefshmërisë së peshoreve në furrat e Kosovës
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), gjatë ditës së sotme kanë filluar aksionin e mbikëqyrjes së peshës së bukës dhe verifikimit të afatit të vlefshmërisë së peshoreve të përdorura në furrat që operojnë në Republikën e Kosovës.
Inspektimet kanë filluar në rajonin e Prishtinës, ndërsa gjatë ditëve në vijim aksioni do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të vendit.
Ky aksion vjen pas ankesave të vazhdueshme nga konsumatorët, të cilët kanë ngritur dyshime lidhur me mospërputhjen ndërmjet peshës së bukës së deklaruar nga shitësit dhe peshës reale të produktit të blerë.
Si institucion përgjegjës për verifikimin e mjeteve matëse, zyrtarët e AMK-së kanë kontrolluar afatin e vlefshmërisë dhe rregullsinë e peshoreve që përdoren nga furrtarët. Përveç kontrollit të peshës së bukës, gjatë aksionit është verifikuar edhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike.
Sipas Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja e masës së produktit të promovuar me masën reale të produktit të shitur konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit. Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten me shumën prej 1,000 deri në 10,000 euro.
Ndërkaq, për përdorimin e peshoreve apo mjeteve të tjera matëse të parregullta, bazuar në legjislacionin në fuqi për metrologjinë, subjekti juridik mund të gjobitet nga 500 deri në 1,500 euro.
AMK dhe IQMT u bëjnë thirrje të gjithë furrtarëve në Republikën e Kosovës që të verifikojnë me kohë afatin e vlefshmërisë së peshoreve, të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.
Gjithashtu, bizneset të cilave u mungon pëlqimi për kushtet minimale teknike ftohen të aplikojnë sa më parë pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë Tregtisë dhe Inovacionit, me qëllim të pajisjes me dokumentacionin përkatës.
AMK dhe IQMT do të vazhdojnë me aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për garantimin e saktësisë së matjeve, respektimit të legjislacionit dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve./lajmi.net/