Gara me motoçikleta e vetura në Gjakovë, shoferët gjobiten me nga 500 €, mbesin pa patentë për një vit
Policia në Gjakovë ka ndërprerë gara shpejtësie në dy rrugë të këksaj komune, ku janë përfshirë dy motoçikleta dhe po aq vetura. Në rrugën “Martirët Qerkezi” janë identifikuar dy motoçiklistë duke garuar mes vete. Patrullat kanë intervenuar dhe ndaj drejtuesve janë ndërmarrë masat e parapara me ligj, thuhet në një njoftim të forcave të rendit,…
Lajme
Policia në Gjakovë ka ndërprerë gara shpejtësie në dy rrugë të këksaj komune, ku janë përfshirë dy motoçikleta dhe po aq vetura.
Në rrugën “Martirët Qerkezi” janë identifikuar dy motoçiklistë duke garuar mes vete. Patrullat kanë intervenuar dhe ndaj drejtuesve janë ndërmarrë masat e parapara me ligj, thuhet në një njoftim të forcave të rendit, transmeton KosovaPress.
Në fletëgjobat e publikuara nga policia shkelja përshkruhet si zhvillim i garës së shpejtësisë brenda vendbanimit, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Për njërin prej motoçiklistëve është evidentuar gjithashtu se nuk posedonte patentë-shofer të kategorisë përkatëse.
Një tjetër ndërhyrje është bërë në rrugën “Gaspër Karaqi”, ku dy drejtues veturash janë hasur duke zhvilluar gara të ngjashme.
Për garat e shpejtësisë brenda vendbanimit, secili drejtues dënohet me 500 euro, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse që ia ndalon drejtimin e mjetit motorik për 12 muaj. Këto sanksione përcaktohen në nenin 51 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Përveç masave që lidhen me garën, ndaj motoçiklistit që nuk posedonte kategorinë përkatëse është evidentuar edhe kjo kundërvajtje në fletëgjobën policore të tij.
Policia tha se reagimi i menjëhershëm ka mundësuar ndërprerjen e veprimeve që rrezikonin drejtpërdrejt qytetarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Autoritetet rikujtojnë se shpejtësia dhe sjelljet e papërgjegjshme në komunikacion janë ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve me pasoja fatale.
Drejtoria Rajonale në Gjakovë u ka bërë thirrje shoferëve t’i respektojnë rregullat dhe të shmangin veprimet që cenojnë sigurinë rrugore.