E mitura bie nga kati i gjashtë i banesës në Pejë, dërgohet në QKUK – policia po heton rastin

Një e mitur ka rënë nga terasa e një banese në katin e gjashtë në Pejë, në orët e para të së martës. Rasti ka ndodhur rreth orës 00:50 në rrugën “Myrvete Maksutaj”, ndërsa Policia është njoftuar menjëherë për ngjarjen. Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës,…

Lajme

25/08/2026 10:25

Një e mitur ka rënë nga terasa e një banese në katin e gjashtë në Pejë, në orët e para të së martës.

Rasti ka ndodhur rreth orës 00:50 në rrugën “Myrvete Maksutaj”, ndërsa Policia është njoftuar menjëherë për ngjarjen.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Rreth orës 00:50, Policia është njoftuar për një rast i cili ka ndodhur në rrugën ‘Myrvete Maksutaj’ në Pejë, ku një e mitur ka rënë nga terasa e banesës, nga kati i gjashtë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa e lënduara është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë dhe më pas në QKUK në Prishtinë”, ka deklaruar Rugova për lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se hetuesit policorë janë duke punuar për të zbardhur rrethanat e rastit.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime të DRP-Pejë janë duke hetuar se si ka ardhur deri te ky rast”, tha Rugova.

E mitura pas trajtimit fillestar në Spitalin Rajonal të Pejës është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Policia është duke vazhduar hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. /Lajmi.net/