Koci pas lirimit të të akuzuarve për vrasjen në Gllogjan: Procesi nuk ka përfunduar, disa prova nuk u vlerësuan drejt
Arianit Koci, avokat i familjes së Gani Gjokajt, njërit prej tre personave të vrarë në sulmin ndaj autobusit në Gllogjan më 2021, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë për lirimin nga akuzat të Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt. Në një përgjigje për IndeksOnline, Koci ka thënë se vendimi i sotëm është vetëm…
Lajme
Arianit Koci, avokat i familjes së Gani Gjokajt, njërit prej tre personave të vrarë në sulmin ndaj autobusit në Gllogjan më 2021, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë për lirimin nga akuzat të Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt.
Në një përgjigje për IndeksOnline, Koci ka thënë se vendimi i sotëm është vetëm i shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.
“Procesi nuk ka përfunduar. Ky është aktgjykim i shkallës së parë”, tha Koci për IndeksOnline.
Ai ka vlerësuar se disa prova të rëndësishme nuk janë vlerësuar drejt nga gjykata dhe se kjo, sipas tij, ka ndikuar në përfundimin e rastit.
“Unë si avokat i palës së dëmtuar, vlerësoj se disa prova të rëndësishme nuk janë vlerësuar drejt dhe se kjo ka ndikuar në përfundimin e Gjykatës”, tha ai.
Koci ka bërë të ditur se pret ta pranojë aktgjykimin e plotë dhe ta analizojë arsyetimin e gjykatës.
“Tash jam shumë kurioz me e lexu aktgjykimin e plotë dhe me pa se si do të arsyetohet ky vendim”, ka deklaruar avokati.
Sipas tij, gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykata nuk ka paraqitur as shkurtimisht arsyet e vendimit për çka Koci thotë se bëhet fjalë për një mangësi procedurale.
“Ajo që mund ta them sot është se, gjatë shpalljes së aktgjykimit, Gjykata nuk i ka prezantuar as shkurtimisht arsyet e vendimit, ndonëse Kodi i Procedurës Penale e parasheh këtë për aktgjykimin lirues. Këtë e vlerësoj si mangësi procedurale në mënyrën se si është shpallur aktgjykimi”, tha ai për IndeksOnline.
Tutje, Koci ka shtuar se pas pranimit të aktgjykimit të arsyetuar, vërejtjet lidhur me provat dhe çështjet procedurale do t’ia paraqesin edhe Prokurorisë.
“Pasi ta pranojmë aktgjykimin e arsyetuar, do ta analizojmë në detaje. Vërejtjet tona lidhur me provat dhe çështjet procedurale do t’ia paraqesim edhe Prokurorisë, e cila e ka kompetencën ligjore për ta ankimuar aktgjykimin lirues”, tha Koci.
Në sulmin ndaj autobusit në Gllogjan, më 26 nëntor 2021, u vranë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur rëndë. Tre të akuzuarit ishin në rigjykim për këtë rast.