“Kanë mbjellë vrerë mbi Drenicën”, Mërgim Lushtaku i përgjigjet Fitore Pacollit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Fitore Pacolli lidhur me incidentin e ndodhur muaj më parë në Skënderaj. Rikthimi i deklaratës së saj në vëmendje, është bërë në ditën kur ministrja në detyrë, Fitore Pacolli dhe kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi…

Lajme

24/08/2026 22:00

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Fitore Pacolli lidhur me incidentin e ndodhur muaj më parë në Skënderaj.

Rikthimi i deklaratës së saj në vëmendje, është bërë në ditën kur ministrja në detyrë, Fitore Pacolli dhe kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve për projektin e Banimit Social Adekuat.

Duke folur në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Lushtaku ka rikthyer në vëmendje një deklaratë të mëhershme të Pacollit, e cila kishte komentuar incidentin duke bërë krahasim mes Sami Lushtakut dhe Albin Kurtit.

Në emision u transmetua një pjesë arkivore ku Pacolli dëgjohet duke thënë: “Ky paska qenë gjeneral, paska luftuar edhe qysh, hajde po shkojmë drejt justifikimit. Ne po e justifikojmë dhunën që e ka përdorur ai. Albin Kurti a e ka rrah dikë a?”

Duke iu përgjigjur kësaj qasjeje, Mërgim Lushtaku tha se PDK-ja e ka kritikuar vazhdimisht gjuhën e përdorur ndaj Sami Lushtakut dhe rajonit të Drenicës.

“Ne kemi parë fjalorin e mëhershëm dhe e ceka që kanë mbjellë vrerë jo vetëm për Saminë në këtë rast, kryetarin e degës dhe kryetarin e komunës së Skënderajit, por edhe mbi krejt rajonin”, tha Lushtaku.

Deputeti i PDK-së u shpreh se një gjuhë e tillë është e paranueshme dhe qasja e tyre, siç u shpreh, do të jetë kritike.

“Pikërisht Fitore Pacolli ka qenë ajo që kanë thënë me mendësinë e Skënderajit, shpresoj se s’kanë ardhur aktivistët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës në një tubim që ishte në Ferizaj. Absolutisht është gjuhë e papranueshme, gjuhë që e kemi kritikuar vazhdimisht dhe sigurisht që ne nuk mundemi t’i mbyllim veshët dhe sigurisht që do të jemi kritik ndaj qasjes së saj”, deklaroi ai.