Rizvanolli reagon për vagonët e Trainkos: Tenderin e fitoi kompania kosovare, Trainkosi nuk e zgjodhi nënkontraktorin në Serbi
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar lidhur me polemikat e krijuara për riparimin e vagonëve të Trainkos në Serbi. Rizvanolli ka thënë se e kupton shqetësimin e qytetarëve për rastet kur kompani nga Serbia përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga tenderët publikë. Ajo ka sqaruar se, sipas informatave të pranuara nga Trainkos, ndërmarrja…
Lajme
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar lidhur me polemikat e krijuara për riparimin e vagonëve të Trainkos në Serbi.
Rizvanolli ka thënë se e kupton shqetësimin e qytetarëve për rastet kur kompani nga Serbia përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga tenderët publikë.
Ajo ka sqaruar se, sipas informatave të pranuara nga Trainkos, ndërmarrja kishte shpallur tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve, ku kishte aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë. Kjo kompani edhe e kishte fituar tenderin.
Sipas Rizvanollit, përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi.
“Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi. Në fakt, sipas ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve”, ka deklaruar ajo.
Rizvanolli ka bërë të ditur se operatori privat që e ka fituar tenderin ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur në Serbi kishte mundësi t’i kryente riparimet e vagonëve.
Megjithatë, ajo ka thënë se Trainkos do të bëjë një vlerësim të pavarur për të parë nëse të njëjtat riparime mund të kryhen në ndonjë shtet tjetër.
“Në rast që kjo është e mundur, do të ndërmarrë hapat për ta adresuar këtë shqetësim”, ka shkruar Rizvanolli.
Ministrja në detyrë u ka bërë thirrje palëve që të mos japin informacione, siç i ka quajtur ajo, tendencioze, të pjesshme apo të pasakta.
“U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga informimi tendencioz, i pjesshëm ose i pasaktë dhe të përmbahen nga shprehja e hipokrizisë së tyre”, ka përfunduar Rizvanolli. /Lajmi.net/