​Çka duhet të përmbush një kandidat konsensual për president – flasin qytetarët

Në kohën kur po zhvillohen takime midis partive politike, në këtë rast LVV-LDK për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, në diskutim është edhe profili që duhet ta ketë një president konsensual. Gjatë një ankete të bërë në kryeqytet, qytetarët e Republikës së Kosovës shprehen mendimin e tyre se kush, si dhe çfarë duhet të përmbush…

Lajme

24/08/2026 19:31

Në kohën kur po zhvillohen takime midis partive politike, në këtë rast LVV-LDK për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, në diskutim është edhe profili që duhet ta ketë një president konsensual. Gjatë një ankete të bërë në kryeqytet, qytetarët e Republikës së Kosovës shprehen mendimin e tyre se kush, si dhe çfarë duhet të përmbush një kandidat potencial për titullin e të parit të shtetit.

Ismail Vokshi nga Prishtina, thekson se duhet të ndryshohet Kushtetuta, që presidentin ta zgjedh direkt populli. Ai tha se forma deri tanishme është një ‘lloj pazari’, ku deputetët po negociojnë, po përsëriten të njëjtat ngjarje, e në fund Kosova po humb.

“Deputetët po abuzojnë me votën e vet. Ata i kanë marr votat me punua për popull, e jo kur të thirren me e bë shtetin, ata ikin e lëshojnë sallën. Është shumë e padrejtë kjo që po i bëhet Kosovës, sidomos në këto rrethana kur bota është në një katrahurë”, tha Vokshi.

Ndërkohë, kur u pyet se çfarë moshe është ideale për të parin e shtetit, prishtinasi u përgjigj se sipas tij, 35 deri 60 vjeç do të ishte më e pranueshmja, por se më e rëndësishmja është që ai/ajo të jetë jo partiak.

“Duhet me qenë shembull, si i ofron partitë politike e jo me i largu partitë politike, jo me qenë i anshëm, jo partiak…Jurist me qenë është me mirë, me ditë gjuhën angleze pasi që ka takime me palë ndërkombëtare”, përfundoi Vokshi.

Mendim të ngjashëm pati dhe nga bashkatdhetari me prejardhje nga Llapi, Mursel Hoti.

“Kush, aty pak është shtir unë me ja qëllua, më mirë e dinë këta që janë këtu”, tha Hoti.

Sipas tij ajo që ka rëndësi është të mos jetë i anshëm. Por, ai ceku se më mirë do të ishte të zgjidhej direkt nga populli siç bëhet në Amerikë.

“Deri tash e kemi provua me partiak, qysh na ka dal gjithë problem me zgjedhje pas zgjedhjesh shkaku i presidentit. Tash veç me qenë a partiak. Ka të shkolluar boll, le ta zgjedhin qysh këta të duan”, tha më tutje ai.

Ndërkohë, Agron Krasniqi pati një opinion më të anshëm.

“Presidenti duhet me qenë neutral ose Glauk Konjufca. Presidenti i takon ose partisë ma të madhe, ose LDK dhe Vetëvendosje”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se më e mira do të ishte që të ndërrohej kushtetuta, në mënyrë që ta votojnë direkt qytetarët presidentin.

“Mirë ka qenë me zgjedh populli, por kushtetuta është kësi soj, duhen 80 vota, nuk kemi çka të bëjmë. Mirë është me ndërrua, ky është propozimi im”, përfundoi ai.

Kurse, eksperti gjuhësor-financiar, Ramadan Feriqi, tha se janë të caktuara kushtet për president, dhe se jo gjithkujt i takon kjo e drejtë. E për të pak rëndësi luan rol mosha.

“Nuk mundet gjithkush me kandidua për president. Lypet CV-ja e pasur, aftësia, shkollimi…Prej moshës 25 deri në moshën 100 vjeçar mund të jetë president”, u shpreh Feriqi.

Feriqi tha se ka mjaft njerëz të zot në partitë aktuale politike, por pasi që po kërkohet jo partiak, duhet të zgjidhet një person që i bashkon këto parti.

“Fusha specifike që duhet me u marr presidenti është unifikimi i popullit, bashkimi i popullit. Këtë detyrë e ka, unifikimi I popullit, me qenë unifikues, me i bashku partitë, me I bashku të gjithë kundërshtarët politik, ajo është detyrë e presidentit”, përfundoi ai.

Më herët, të intervistuar nga KosovaPress, analistët vlerësuan se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë që plotëson kriteret kushtetuese e ligjore, ka përvojë institucionale dhe politike, mbron integritetin e postit dhe vepron si faktor uniteti, pa u identifikuar me ndarjet partiake.

Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive.

Kryeministri në detyrë, njëherësh lideri i LVV-së, Albin Kurti, është takuar të martën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për çështjen e presidentit.