Ndalohet një person pas vdekjes së punëtorit në vendpunishten në Veternik

Një punëtor ka humbur jetën sot në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim. Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:30. Viktima, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve, shkruan…

Lajme

24/08/2026 16:26

Një punëtor ka humbur jetën sot në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:30. Viktima, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve, shkruan lajmi.net.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., i dyshuar për veprën penale Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të hetimeve janë intervistuar dëshmitarët okularë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë mbledhjen dhe administrimin e provave për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.

Prokurori i çështjes do të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të një mase sigurie ndaj të dyshuarit.

Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim mes Prokurorisë, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente. /Lajmi.net/