​Kurti thotë se në Kalludër e Jabukë u gjetën mbetje të 23 personave, aq sa ishin në Grupin e Intelektualëve

Në varret masive në Kalludër të Vogël dhe Janukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të 23 personave që dyshohet se janë të grupit prej po aq personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. 13 prej tyre janë gjetur në lokacionin e parë, mes Kalludrës së Madhe dhe të Vogël, 4 prej…

Lajme

24/08/2026 13:14

Në varret masive në Kalludër të Vogël dhe Janukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të 23 personave që dyshohet se janë të grupit prej po aq personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

13 prej tyre janë gjetur në lokacionin e parë, mes Kalludrës së Madhe dhe të Vogël, 4 prej tyre në Jabukë ndërsa 6 mbetje mortore janë gjetur në lokacionin tjetër, në Kalludër.

Kështu bëri të ditur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në prezantimin e raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet në Komunën e Zubin Potokut.

Shefi i qevrisë në detyrë tha se tashmë ka nisur faza e identifikimit të këtyre mbetjeve mortore pasi janë dërguar për analiza të AND-së.

“Në varrin masiv ndërmjet Kalludrës së madhe dhe të vogël, sipas vlerësimeve të ekspertëve, mbetjet mortore të gjetura dhe të zhvarrosura u përkasin së paku 13 personave. Në varrin masiv në Jabukë, përkatësisht në lokacionin e dytë, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave. Dhe në lokacionin e tretë, përkatësisht varrin tjetër masiv në Kalludër, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të së paku gjashtë personave. Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të identifikimit, pasi veçse janë marrë dhe dërguar për analizë të ADN-së mostrat e mbetjeve që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në fshatin Jabukë. Ndërsa për të tjerët po vazhdon procesi paraprak i ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Kurti.

Ai tha se numri 23 përkon me grupin e po kaq intelektualëve, që më 19 prill 1999 u ndaluan, rrëmbyen dhe sipas tij, u pushkatuan nga forcat e Serbisë.

“Numri 23 përkon me atë që njihet si Grupi i Intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë. Andaj, vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër. Është e papërshkrueshme e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë. Secili gërmim e secila informatë për një të tillë të mundshëm, secili lokacion e secili emër. Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi”, tha Kurti.

E kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani tha se në këtë zonë ishin bërë kërkime edhe më herët, por që ato, sipas tij, nuk kishin dal të suksesshme, si gërmimet e muajit të fundit.

“Ne duam të themi një gjë, që këto nuk janë përpjekjet e para dhe të fundit që janë bërë në këtë zonë. Përpjekje të tilla për të hulumtuar, për të gjetur varreza, qofshin varre individuale apo varre kolektive apo masive, janë bërë që nga fillimi i vitit, e natyrisht janë bërë edhe viteve të tjera, por për fat të keq ato kanë rezultuar pa gjetje konkrete, pra me rezultate negative. Falë përkushtimit të institucioneve tona, në radhë të parë falë përkushtimit të segmentit të sigurisë dhe posaçërisht të njësisë së Policisë për hulumtimin e personave të zhdukur, këto përpjekje në muajin gusht kanë rezultuar me gjetje konkrete”, tha Limani.

Ndërsa udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Kushtrim Gara dha detaje më të hollësishme lidhur me këto gërmime.

“Kemi prezantuar dhe ndarë me ju sot edhe një raport që gjendet në familje, por dhe një proces disamujor që është duke u zhvilluar. Po flasim për tri lokacione të varreve masive, pra tri varre masive në pjesën veriore, ose më saktësisht në veri-perëndim të Republikës së Kosovës, më saktë në pjesën e komunës së Zubin Potokut, fshatrat rreth Kalludër, Jabukë, Çepul, pra në një zonë që i bie të jetë në jug-lindje të komunës së Zubin Potokut. Kemi tri varre masive në këtë zonë, duke filluar nga lokacioni i parë që është në Kalludër, siç u theksua, që tashmë është konfirmuar nga gjetjet e mbetjeve mortore, që në këtë rast po flasim për minimumin së paku 13 persona apo 13 individë, 13 viktima të zhdukura me forcë. Lokacioni i dytë në Jabukë dhe lokacioni i tretë po ashtu në Kalludër. Në një distancë ajrore, në këtë rast, mes lokacionit të parë dhe lokacionit të tretë, janë më pak se një kilometër, ndërsa në lokacionin e parë në raport me lokacionin e dytë, po ashtu dhe në raport me lokacionin e tretë me lokacionin e dytë, po flasim diku për rreth një kilometër vijë ajrore. Edhe pse për shkak të specifikave të terrenit, pjesa e rrugës në këtë rast merr shumë më shumë kohë në raport me distancën ajrore. Pra, kemi tri lokacione të varreve masive të konfirmuara, siç e theksuam, numri minimal i individëve ose i personave të zhvarrosur ose mbetjeve mortore që përfaqësojnë më saktësisht 23 persona”, tha Gara.