I dyshuari për vrasjen në Malishevë është bashkëshorti i viktimës që gjithashtu është i plagosur – Detaje nga Prokuroria në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen që ka ndodhur në Gjakovë, ku ka vdekur një grua dhe bashkëshorti i saj është plagosur. Sipas Prokurorisë, i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, i cili poashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është në gjendje të rëndë dhe kritike…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen që ka ndodhur në Gjakovë, ku ka vdekur një grua dhe bashkëshorti i saj është plagosur.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, i cili poashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën, shkruan lajmi.net.
“Prokurori i Shtetit, ka dal në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për kryerjen e autopsi. Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, ka njoftuar Prokuroria.
Rastin sot për lajmi.net e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, saktësisht zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi.
Ajo ka thënë për lajmi.net se dje rreth orës 23:20 kanë marrë informacion për një plagosje.
Në vendin e ngjarjes, në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit.
Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në QKUK.
“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Rreth orës 01:10, nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Vrasje e rëndë”. Hetimet lidhur me rrethanat e rastit janë duke vazhduar”, ka thënë Krasniqi.
Qendra Emergjente në QKUK ka njoftuar se viktima është e moshës 25 vjeçare, ndërkaq bashkëshorti i saj, i dyshuar është 26 vjeçar.
Sipas QKUK-së, dje rreth orës 00:15, janë pranuar dy persona nga rajoni i Malishevës.
Gruaja e moshës 25 vjeçare ka arritur në Qendër Emergjente pa shenja jete me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj 26 vjeçar është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente.
“Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë. Për rrethanat dhe shkaqet e sakta të rastit, kompetente janë organet përkatëse të hetimit. Stafin emergjent- QKUK, është duke ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe, në përputhje me procedurat në fuqi, do të bashkëpunojë me institucionet kompetente”, ka njoftuar Qendra Emergjente në QKUK. /Lajmi.net/