Vizita e zyrtarëve të TRAINKOS-it në Serbi pas sulmit në Banjskë, Ramadani kërkon shkarkimin e Rizvanollit

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar pas publikimit të dokumenteve që, sipas tij, dëshmojnë se zyrtarë të lidhur me Qeverinë e Kosovës kanë vizituar Serbinë në vitin 2024, disa muaj pas sulmit terrorist në Banjskë. Ramadani i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që të ndërmarrë veprime lidhur me…

Lajme

24/08/2026 09:49

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar pas publikimit të dokumenteve që, sipas tij, dëshmojnë se zyrtarë të lidhur me Qeverinë e Kosovës kanë vizituar Serbinë në vitin 2024, disa muaj pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ramadani i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që të ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje.

“Zyrtarët e shtetit shkuan në Serbi pas sulmit në Banjskë!”, ka shkruar Ramadani, duke pretenduar se vagonët e trenave të Kosovës janë renovuar në Serbi, me mjete të buxhetit të Kosovës.

Sipas tij, vizita e zyrtarëve në Serbi është zhvilluar në vitin 2024, pas sulmit të 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ramadani e ka lidhur këtë çështje edhe me ndërmarrjen publike TRAINKOS, për të cilën thotë se është nën përgjegjësinë institucionale të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Artane Rizvanolli.

Deputeti i AAK-së ka kërkuar nga Kurti që ta shkarkojë Rizvanollin dhe të nisë procedura ndaj zyrtarëve që, sipas tij, janë të përfshirë.

“Unë prita që sot në mëngjes ju do ta largoni menjëherë dhe pakthyeshëm nga ekipi juaj Artane Rizvanollin. E më pas, të fillojë procedura edhe ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë tmerr institucional”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka ngritur pyetje për arsyen e vizitës së zyrtarëve në Serbi dhe personat me të cilët ata janë takuar.

“Dikush duhet t’i kishte marrë në pyetje këta se pse shkuan e kënd e takuan!”, ka përfunduar Ramadani.