Kosova me shumë duele sot në Taranto, garohet në shtatë disiplina
Ekipi i Kosovës do të ketë një ditë të ngjeshur me gara në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me sportistët kosovarë që do të paraqiten në shtatë disiplina të ndryshme. Programi nisi në orën 10:00 me notin, ku Hana Bejqi dhe Erina Idrizaj do të garojnë në “Mattino”. Në të njëjtën kohë, në taekwondo do të…
Sport
Ekipi i Kosovës do të ketë një ditë të ngjeshur me gara në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me sportistët kosovarë që do të paraqiten në shtatë disiplina të ndryshme.
Programi nisi në orën 10:00 me notin, ku Hana Bejqi dhe Erina Idrizaj do të garojnë në “Mattino”. Në të njëjtën kohë, në taekwondo do të paraqiten Resa Gashi, Jon Gashi dhe Bled Tufa, në palestrën “Giovanni Paolo II”.
Në orën 11:00, në mundje, Egzon Xhoni do ta përfaqësojë Kosovën në “Karol Wojtyla Sport”, ndërsa pasditja sjell radhën e boksit. Në orën 14:00, Bashkim Bajoku dhe Taulant Jakupi do të ngjiten në ring në “Palazzetto dello Sport” në San Giorgio Jonico.
Nga ora 17:00 fillojnë përballjet ekipore. Kombëtarja e Kosovës në volejboll për meshkuj do të përballet me Egjiptin në “Palamazzola Sport Hall”, ndërsa një orë më vonë, në orën 18:00, Kosova do të luajë ndaj Portugalisë në padel për meshkuj, në “Mediterranean Salinella”.
Në mbrëmje, Kosova do të ketë edhe dy përballje të rëndësishme. Në orën 20:00, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll për meshkuj do të përballet me Italinë në “Fasano Sport Hall”, ndërsa në orën 21:00, kombëtarja e Kosovës në futboll për femra do të luajë ndaj Italisë në stadiumin “Giovanni Paolo II”.
Kështu, 23 gushti pritet të jetë një nga ditët më të ngarkuara për ekipin e Kosovës në Taranto, me gara nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe me përballje të drejtpërdrejta ndaj Egjiptit, Portugalisë dhe Italisë.