Largimet në “Prishtina Parking” përplasin punëtorët, Beqiri pretendon se u kërcënua – e mohojnë të “akuzuarit”
Gjatë ditëve të fundit, ndërmarrja publike “Prishtina Parking” në kryeqytet ka larguar nga puna gjashtë punëtorë në cilësinë e inkasantëve dhe një menaxher mbi dyshimin për keqpërdorim. Pas këtij vendimi të ndërmarrjes, punëtori i kësaj kompanie, Festim Beqiri pretendon se është vazhdimisht i kërcënuar tashmë nga kolegu i tij tashmë i larguar nga puna, Dardan…
Lajme
Gjatë ditëve të fundit, ndërmarrja publike “Prishtina Parking” në kryeqytet ka larguar nga puna gjashtë punëtorë në cilësinë e inkasantëve dhe një menaxher mbi dyshimin për keqpërdorim.
Pas këtij vendimi të ndërmarrjes, punëtori i kësaj kompanie, Festim Beqiri pretendon se është vazhdimisht i kërcënuar tashmë nga kolegu i tij tashmë i larguar nga puna, Dardan Krasniqi.
Beqiri për KosovaPress thotë se Krasniqi është nxitur nga njëri prej menaxherave të ndërmarrjes, Fatlum Brahimi se kinse Beqiri ka njoftuar përmes email-eve drejtuar ndërmarrjes dhe kryeshefit, Artan Mullarama, se ‘Krasniqi ka keqpërdorur paratë e avansit’.
“Tjetri menaxher që quhet me emrin Fatlum Brahimi, e nxit ish-kolegun tim, Dardan Krasniqi, i cili ka punuar në të njëjtën pikë me mua. Në të njëjtën pikë ka punuar me mua Dardan Krasniqi. E nxit duke i thënë, duke i thënë se cila është Festim Beqiri, i kam dërguar e-mail privat drejtorit operativ me laura, Artan Mullaramës. Përveç që i kam dërguar e-mail privat Artan Mullaramës, i kam dërguar e-mail-a privatë edhe ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’-ut, duke i thënë kështu se Dardan Krasniqi i ka vjedhur paratë e avansit”, tha Beqiri.
Beqiri thotë se tani ish-kolegu, Dardan Krasniqi i ka hyrë në kabinë gjatë orarit të punës dhe i ka ushtruar presion psikologjik. Madje ai thekson se në një moment i’u është betuar të njëjtit se nuk është i përfshirë në këto çështje.
“Dardan Krasniqi m’ka hyrë në orar të punës brenda në kabinë. M’ka hyrë, ka qenë një njeri i trishtuar. Unë e kuptoj atë se edhe ai ka familje, edhe ai ka fëmijë e shtëpi. E di çka është me mbetur pa punë, e di çka është me mbet i papunë. Por unë nuk kam faj pse ata kanë bërë keqpërdorime. Kanë bërë keqpërdorime, ia pafshin ‘çyken e hajrit’, ata le të përgjigjen, le të japin llogari. Jo me shkua me nxitë njerëzit, me thënë cila është ajo që i kam çuar e-mail drejtorit operativ Artan Mullaramës, i kam çuar edhe e-mail bordit të ndërmarrjes kinse ai i ka vjedhur paratë e avansit. Aq sa më ka hyrë në mënyrë të frustuar, që ju kam betuar, i kam bërë be në fëmijë që nuk kam gisht në këtë punë, as hak, as hile. Me presionin psikologjik që me ma bërë Dardan Krasniqi, m’ka detyruar me marrë bukën me qitë në tokë edhe me shkelë bukën me këmbë të mia që unë nuk kam gisht në këtë punë. As gisht, as hak, as hile”, ka rrëfyer Beqiri, i cili po ndihet i kërcënuar nga ish-kolegë.
Ndërsa, menaxheri në Prishtina Parking, Fatlum Brahimi për KosovaPress hodhi poshtë të gjitha akuzat e Beqirit, duke i mohuar dhe duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që përballet me situata të tilla, të shkaktuara nga Beqiri.
“Po për çfarë arsye kam me ngritë unë Dardanin kundër Festimit? Për çfarë arsye? Po nuk është e vërtetë kjo. Po nuk është e vërtetë, unë nuk qes punëtorë prej punës, as nuk është kjo punë… a e din, detyrë e imja. Ai Festim ka qenë në zyrë, është sqaruar edhe me drejtorin tonë, që këtë punë nuk e kemi bërë ne. Po nuk është hera e parë kjo me mua që po bën këtë… kupton? Ai po mendon që unë jam duke i bërë diçka me qëllim, po nuk është e vërtetë”, tha Brahimi.
Për akuzat e Beqirit, menaxheri Brahimi në vazhdimësi potencoi se nuk janë të vërteta dhe se nuk ka asgjë personale me palën e parë.
“Jo, nuk ka të bëjë, nuk është e vërtetë. S’kam nevojë me ia kërcënuar, as me lajmëruar, as s’kam kurgjo. S’kam asgjë personale me zotërin Festim”, deklaroi shkurtimisht ai.
Njësoj si Brahimi, pati të njëjtin epilog edhe deklarimi tashmë i ish-punëtorit të “Prishtina Parking” Dardan Krasniqit, i cili gjatë një prononcimi për KosovaPress tha se nuk është e vërtetë ajo për të cilën e ka ngritur si kërcënim nga Beqiri dhe siç tha ai ‘nuk merret me situata të tilla’.
“Unë nuk e di çfarë t’i bëj atij si kolegë, aty kam punuar shtatë vjet në atë pikë ku është ai. Jam duke m’i rregullu disa dokumente se s’po kam ku e lë kerrin. Ai ishte shkuar, I kishte thënë atij kolegut po e shntazhon atë e s’di çka i kishte thënë, e po e shtin ata. Ku e shti unë more, me u marrë me asi sene, nuk merrna me kësi sene”, tha Krasniqi.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me kryeshefin e ndërmarrjes, Artan Mullarama, i cili pasi u njoftua me pyetjet e parashtruara, mbylli telefonin dhe nuk pranoi të deklarohej.
Për të marrë një konfirmim nga Policia e Kosovës se rasti në fjalë është paraqitur në organet kompetente dhe po hetohet nga njësitet e policisë, KosovaPress ka dërguar pyetje në Polici por deri në publikimi e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje, ani pse redaksia jonë në mënyrë indirekte dhe jozyrtare ka kuptuar se rasti tashmë është i raportuar në organet e rendit.