“Po flejmë mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet”, Aleanca hedh thëngjill para Qeverisë: Kosova po kalon nga terri energjetik në terr politik
Aleanca ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur thëngjill para dyerve të institucionit, në shenjë proteste për gjendjen në sektorin energjetik dhe situatën politike në vend. Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se simbolika e këtij aksioni lidhet me pasuritë nëntokësore të Kosovës, duke e akuzuar Qeverinë se, pavarësisht…
Lajme
Aleanca ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur thëngjill para dyerve të institucionit, në shenjë proteste për gjendjen në sektorin energjetik dhe situatën politike në vend.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se simbolika e këtij aksioni lidhet me pasuritë nëntokësore të Kosovës, duke e akuzuar Qeverinë se, pavarësisht rezervave të qymyrit, vendi vazhdon të përballet me probleme në prodhimin e energjisë.
“Me Kurtin dhe me Vetëvendosjen, gjashtë-shtatë vitet e fundit Kosova është në terr energjetik, që e ka mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi Ramadani.
Ai tha se Kosova “po fle mbi qymyr”, ndërsa vazhdon të blejë energji nga jashtë.
“Mesazhi dhe simbolika e thëngjillit, e qymyrit të Kosovës, është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet”, tha ai.
Sipas Ramadanit, një prej pikave kryesore të ofertës së Aleancës është ndërtimi i një termocentrali të ri, me synim rritjen e prodhimit vendor të energjisë.
Ai pretendoi se gjatë viteve të fundit rreth një miliard euro janë shpenzuar për blerjen e energjisë elektrike nga Serbia dhe vende të tjera.
“Dhe është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e vende të tjera, e prej kësaj ka përfituar askush tjetër përpos mafias energjetike”, tha Ramadani.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e përgjegjësisë pas rasteve kur punëtorë kanë humbur jetën gjatë punës në nxjerrjen e qymyrit.
“Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën bashkë duke e nxjerrë këtë qymyr për popullin e Kosovës, dhe nuk ka përgjegjësi as politike, as menaxheriale”, deklaroi ai.
Ramadani e lidhi situatën energjetike edhe me krizën institucionale në vend, duke akuzuar Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po e mbajnë Kosovën në atë që ai e quajti “terr politik”.
Aleanca paralajmëroi se aktivitetet simbolike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin që të rrisin presionin për investime në prodhimin vendor të energjisë. /Lajmi.net/