“Milionat e komunave” përplasin AKK-në me Krasniqin, Ibrahimi kërkon llogari: Më pak etiketime, më shumë përgjigje

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas deklaratave të tij për financimin e komunave dhe rolin e Asociacionit. Krasniqi kishte deklaruar se buxheti për komunat është rritur me 66 për qind dhe se Asociacioni duhet të jetë “zë i 38 komunave”, duke kundërshtuar…

Lajme

23/08/2026 12:20

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas deklaratave të tij për financimin e komunave dhe rolin e Asociacionit.

Krasniqi kishte deklaruar se buxheti për komunat është rritur me 66 për qind dhe se Asociacioni duhet të jetë “zë i 38 komunave”, duke kundërshtuar kritikat për mënyrën e financimit të pushtetit lokal.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka thënë se nuk ka qëllim të merret me sulme personale, por se është detyruar të përgjigjet pasi është përmendur sërish nga ministri.

“Unë nuk jam kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Jam drejtor ekzekutiv”, ka thënë Ibrahimi, duke e cilësuar këtë si “dallim elementar”.

Pjesa kryesore e reagimit të AKK-së lidhet me Grantin e Performancës dhe fondet e destinuara për komunat fituese.

Ibrahimi ka ngritur pyetjen se pse pesë komunave fituese të këtij granti u janë ndarë vetëm 2 milionë euro, nga 4 milionë euro sa, sipas tij, ishin paraparë në buxhet.

“Pse u ridestinuan mjetet e komunave fituese? Sipas cilave kritere? Dhe si mbrohet skema e performancës kur fituesve u zvogëlohet financimi?”, ka pyetur ai.

Krasniqi kishte arsyetuar se 25 për qind e këtyre mjeteve ishin orientuar në një program tjetër investimesh, duke thënë se disa komuna kishin kapacitete të kufizuara administrative dhe njerëzore për t’i shpenzuar fondet brenda afateve.

Ibrahimi ka kërkuar që ministria të publikojë të dhënat dhe kriteret mbi të cilat është vlerësuar kapaciteti i komunave.

“Nëse ministria i vonoi fondet, nuk mund t’ua faturoni komunave pasojat e vonesës”, ka deklaruar ai.

Në reagim janë ngritur pikëpyetje edhe për 10 deri në 14 milionë euro të Bashkimit Evropian, të cilat, sipas Ibrahimit, ishin të dedikuara për Grantin e Performancës.

“Cili ishte rezultati? Ku janë mjetet? Cilat komuna përfituan? Nëse nuk kanë humbur, publikoni dokumentet. Nëse kanë humbur, tregoni pse dhe kush mban përgjegjësi”, ka kërkuar drejtori ekzekutiv i AKK-së.

Ibrahimi ka kundërshtuar edhe mënyrën e paraqitjes së rritjes së buxhetit të komunave, duke theksuar se përveç rritjes nominale duhet të merret parasysh inflacioni dhe fuqia reale blerëse e buxheteve.

Në fund, ai ka thënë se kërkesat e Asociacionit kanë të bëjnë me interesat e komunave dhe jo me interesa personale.

“Kërkesat për transparencë nuk janë panik. Kërkesat për llogaridhënie nuk janë dezinformim. Dhe mbrojtja e interesave të komunave nuk është interes personal. Më pak etiketime. Më shumë përgjigje”, ka përfunduar Ibrahimi. /Lajmi.net/