E ndalën me drita, e qëlluan në kokë dhe e goditën me armë – përleshje e rëndë në Rahovec
Një person është plagosur me armë zjarri në rrugën regjionale Sarosh–Rahovec, në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit. Sipas Policisë së Kosovës, viktima ishte duke udhëtuar me veturë kur një automjet i kishte bërë shenjë me drita. Pasi ishte ndalur, një person dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij,…
Lajme
Një person është plagosur me armë zjarri në rrugën regjionale Sarosh–Rahovec, në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima ishte duke udhëtuar me veturë kur një automjet i kishte bërë shenjë me drita. Pasi ishte ndalur, një person dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur në pjesën e pasme të kokës, shkruan lajmi.net.
“Pasi viktima ishte ndalur, një person kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur në pjesën pasme të kokës”, thuhet në raportin e Policisë.
Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se ishte afruar te viktima dhe e kishte goditur disa herë me kondak të armës së shkurtër.
Gjatë përleshjes, viktima kishte arritur t’ia marrë armën të dyshuarit dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar një pistoletë pa municion.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.
Rasti është iniciuar për “Lëndim të rëndë trupor & armëmbajtje pa leje”. /Lajmi.net/