Karabinierët italianë patrullojnë në Gjakovë, KFOR tregon arsyen

KFOR-i ka njoftuar se karabinierët italianë kanë zhvilluar patrullime të rregullta në Gjakovë, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët. Sipas njoftimit të KFOR-it, këto patrullime janë pjesë e aktiviteteve të rregullta të forcave në terren dhe kontribuojnë në praninë e dukshme dhe fleksibile të KFOR-it…

Lajme

22/08/2026 16:39

KFOR-i ka njoftuar se karabinierët italianë kanë zhvilluar patrullime të rregullta në Gjakovë, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

Sipas njoftimit të KFOR-it, këto patrullime janë pjesë e aktiviteteve të rregullta të forcave në terren dhe kontribuojnë në praninë e dukshme dhe fleksibile të KFOR-it në Kosovë, transmeton lajmi.net.

KFOR-i thekson se patrullimet ndihmojnë gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit për situatën e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Aktivitete të tilla pasqyrojnë përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim rikujtohet edhe mandati i KFOR-it, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet më tej.

KFOR-i ka theksuar gjithashtu se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve dhe përgjegjësive të tyre përkatëse si mekanizma të reagimit në fushën e sigurisë./lajmi.net/