Vdes ish-kryeministri i Estonisë, babai i Kaja Kallas
Siim Kallas, ish-kryeministër i Estonisë dhe ish-zëvendëspresident i Komisionit Europian, i cili ndihmoi Estoninë e saposhkëputur nga Bashkimi Sovjetik të krijonte monedhën e saj dhe të vendoste themelet e ekonomisë, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare. Vdekjen e tij e njoftoi të shtunën në mëngjes vajza e tij, Kaja Kallas, shefe e politikës së jashtme…
Lajme
Siim Kallas, ish-kryeministër i Estonisë dhe ish-zëvendëspresident i Komisionit Europian, i cili ndihmoi Estoninë e saposhkëputur nga Bashkimi Sovjetik të krijonte monedhën e saj dhe të vendoste themelet e ekonomisë, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare.
Vdekjen e tij e njoftoi të shtunën në mëngjes vajza e tij, Kaja Kallas, shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Europian dhe vetë ish-kryeministre e Estonisë.
“Me pikëllim më duhet të njoftoj se babai im i dashur, Siim Kallas, ndërroi jetë mbrëmë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Kallas, i cili ndërroi jetë në orët e para të 22 gushtit, ishte një nga figurat qendrore të transformimit të Estonisë nga një republikë sovjetike në një shtet evropian liberal, me ekonomi tregu.
Ai udhëhoqi reformën monetare të vitit 1992, themeloi Partinë e Reformës, shërbeu si ministër i Jashtëm dhe ministër i Financave, si dhe ishte kryeministër nga janari 2002 deri në prill 2003.
Presidenti i Estonisë, Alar Karis, e përshkroi atë si një burrështetas që ndihmoi në formësimin e Estonisë moderne përmes “synimeve dhe veprimeve të guximshme dhe largpamëse”.
“Epoka e Revolucionit të Kënduar, rikthimi i pavarësisë dhe ndërtimi i një Estonie moderne, të lirë dhe evropiane kërkonin pikërisht këtë lloj mendimi të pavarur dhe guximi për të vepruar”, tha Karis.
“Ai ndihmoi që vendi ynë të bëhej më i sigurt në vetvete, më i fortë dhe më evropian.”