Minierat në Kosovë humbin afro 13 për qind të të punësuarve në një vit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra të industrisë për muajin qershor 2026, ku të dhënat tregojnë një kontrast mes rritjes së qarkullimit dhe rënies së numrit të të punësuarve. Sipas ASK-së, qarkullimi në sektorët e industrisë u rrit me 5.86 për qind në qershor 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të…

Lajme

21/08/2026 22:25

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra të industrisë për muajin qershor 2026, ku të dhënat tregojnë një kontrast mes rritjes së qarkullimit dhe rënies së numrit të të punësuarve.

Sipas ASK-së, qarkullimi në sektorët e industrisë u rrit me 5.86 për qind në qershor 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, numri i të punësuarve në industri ra me 1.22 për qind.

Minierat me rritje të madhe të qarkullimit, por me rënie të punësimit

Kontrasti më i madh vërehet në industrinë nxjerrëse – minierat dhe guroret. Ky sektor regjistroi një rritje të qarkullimit prej 48.21 për qind, më e larta ndër sektorët e industrisë.

Por, në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve në miniera dhe gurore ra me 12.55 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Pra, edhe pse sektori ka shënuar rritje të fuqishme të qarkullimit, ai është përballur me një rënie dyshifrore të punësimit.

Rënie të numrit të të punësuarve është regjistruar edhe në industrinë përpunuese, me 2.26 për qind.

Në anën tjetër, punësimi është rritur në sektorin e furnizimit me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 6.62 për qind, si dhe në furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbeturinave me 2.04 për qind.

Pagat rriten, ndërsa punësimi bie

Një tjetër tregues i rëndësishëm është fondi i pagave dhe mëditjeve. Në tërësi, ai u rrit me 10.27 për qind në qershor 2026, krahasuar me qershorin 2025.

Rritja më e madhe e fondit të pagave u regjistrua në furnizimin me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 14.88 për qind, pasuar nga furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave me 12.74 për qind dhe industria përpunuese me 9.14 për qind.

Në industrinë nxjerrëse, fondi i pagave u rrit me 2.46 për qind, pavarësisht rënies prej 12.55 për qind të numrit të të punësuarve.

Të dhënat e ASK-së tregojnë kështu një paradoks në industrinë kosovare: qarkullimi dhe fondi i pagave janë rritur, por numri i të punësuarve ka rënë. Më e theksuar është situata në miniera dhe gurore, ku qarkullimi u rrit me 48.21 për qind, ndërsa punësimi ra me 12.55 për qind.

Njoftimi i plotë nga ASK: 

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Statistikat Afatshkurtra të Industrisë për muajin qershor 2026.

Sektorët e industrisë me rritje në qarkullim dhe paga, kurse me rënie te numri i të punësuarve në qershor 2026, krahasuar me qershor 2025

Në muajin qershor të vitit 2026, sektorët e industrisë kishin rritje për 5,86 %, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2025).

Sipas aktivitetit ekonomik, rritje kishte te: Industria nxjerrëse (minierat dhe guroret) me 48,21 %; Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 15,85 %; Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 9,31 %; si dhe në sektorin e Industrisë përpunuese për 3,17 %.

Indeksi i numrit  të të punësuarve

Në muajin qershor të vitit 2026, sektorët e industrisë kishin rënie për (-1.22 %), krahasuar me muajin e  njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2025).

Sipas aktivitetit ekonomik, rritje kishte te: Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 6,62 % dhe Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 2,04 %. Ndërsa, rënie kishte në sektorin e industrisë përpunuese për (-2,26 %) dhe te industria nxjerrëse (minierat dhe guroret) për (-12,55 %).

Indeksi i fondit të pagave dhe mëditjeve

Në muajin qershor të vitit 2026, sektorët e industrisë kishin rritje për 10,27 %, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2025).

Sipas aktivitetit ekonomik rritje kishte te: Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 14,88 %; Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 12,74 %; Industria përpunuese me 9,14 %; si dhe te Industria nxjerrëse (minierat dhe guroret) me 2,46 %.

/lajmi.net/