Ministrja Pacolli njofton mbylljen e hotelit dhe restorantit të famshëm “Liqeni i Dukagjinit”: Mbrojtja e ujit të pijshëm nuk ka kompromis
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është urdhëruar mbyllja e aktivitetit të hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili vepronte në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit. Përmes një postimi, Pacolli ka thënë se aktiviteti i këtij biznesi është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor…
Lajme
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është urdhëruar mbyllja e aktivitetit të hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili vepronte në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Përmes një postimi, Pacolli ka thënë se aktiviteti i këtij biznesi është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe me rregullat që përcaktojnë mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, Inspektorati i Mjedisit ka ndërmarrë masën e mbylljes, pasi aktiviteti dyshohet se ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, Vendimin 09/127 të Qeverisë për përcaktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akte të tjera nënligjore.
Pacolli ka deklaruar se si pasojë e këtyre shkeljeve është rrezikuar siguria dhe cilësia e ujit të pijshëm.
Ajo ka bërë të ditur se ministria ka kërkuar hetim të plotë për të gjitha rrethanat që kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti në zonën e mbrojtur.
Sipas Pacollit, hetimi duhet të përfshijë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës, për të verifikuar nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Si Ministri, kemi kërkuar hetim të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar këtë abuzim të hapur. Kjo përfshin edhe hetimin e veprimeve të ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën për të lejuar këtë situatë”, ka shkruar Pacolli.
Ministrja në detyrë ka theksuar se mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është përgjegjësi institucionale dhe detyrim ligjor.
“Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve. Ujërat e Kosovës do t’i mbrojmë me vendosmëri, pa asnjë përjashtim!”, ka përfunduar Pacolli./lajmi.net/