Bajrami kritikon subvencionimin e teksteve shkollore: Kanë mbetur më pak se dy javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur kritika ndaj mënyrës se si po zhvillohet këtë vit procesi i subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore, pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se vendimi i Ministrisë së Arsimit për t’ua transferuar mjetet financiare prindërve, në vend…

Lajme

21/08/2026 18:52

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur kritika ndaj mënyrës se si po zhvillohet këtë vit procesi i subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore, pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se vendimi i Ministrisë së Arsimit për t’ua transferuar mjetet financiare prindërve, në vend të sigurimit të drejtpërdrejtë të librave për nxënësit, po shkakton probleme të vazhdueshme, transmeton lajmi.net.

“Kanë mbetur më pak se dy javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet për tekstet shkollore. E sot, përveç që s’i kanë paratë, nuk e dinë as cilat libra duhet blerë. Prej se Ministria vendosi që mos të ua sigurojë librat nxënësve, por t’ua qesë paratë prindërve në xhirollogari, çdo shtator e kemi të njëjtën katrahurë: aplikime, pritje për mjete, prindër që bredhin prej një librarie në tjetrën dhe fëmijë që e fillojnë mësimin pa i pasur të gjitha librat, e kjo zgjatë për dikë deri në fund të vitit shkollor”, shkruan Bajrami.

Sipas saj, prindërit kanë kërkuar që të rikthehet praktika e mëparshme, ku tekstet shkollore siguroheshin për nxënësit dhe nuk varej procesi nga subvencionimi në llogaritë e familjeve.

Bajrami ka thënë se situata është edhe më problematike këtë vit, pasi afati për fillimin e mësimit po afrohet, ndërsa prindërit ende nuk kanë marrë pagesat për blerjen e librave.

Ajo ka theksuar se, përveç pritjes për mjetet financiare, familjet janë përballur edhe me paqartësi rreth materialeve që duhet të blejnë.

Sipas deputetes së LDK-së, prindërve u është kërkuar nga Ministria që të presin dhe të mos blejnë librat e rekomanduar nga shkollat, duke shtuar edhe më shumë pasigurinë para fillimit të vitit të ri shkollor./lajmi.net/